
Foto: Donald J. Trump / facebook
Rreth 11 mijë emigrantë u deportuan nga SHBA-ja në Meksikë pas kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë
Meksika i ka pranuar pothuajse 11 mijë emigrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara prej 20 janarit, kur presidenti amerikan, Donald Trump, u kthye në Shtëpinë e Bardhë, ka deklaruar të premten, më 07.02.2025, presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, raporton Reuters.
Ajo ka thënë se në këto të dhëna përfshihen edhe rreth dymijë e pesëqind jomeksikanë.
Në fillim të javës, Sheinbaum arriti një marrëveshje me Trumpin për të shtyrë zbatimin e tarifave për mallrat meksikane në këmbim për vendosjen e mijëra trupave të Gardës Kombëtare në kufirin verior me Shtetet e Bashkuara në një përpjekje për të reduktuar edhe më shumë numrin e emigrantëve që kalojnë kufirin drejt SHBA-së.
Duke folur në konferencën e saj të rregullt, Sheinbaum ka shtuar se Meksika gjithashtu ka riatdhesuar emigrantë në Honduras nëpërmjet fluturimeve, si dhe nëpërmjet transportit tokësor.
Por ajo ka theksuar se riatdhesimet nuk janë kryer me forcë.
“Është vullnetare” – ka deklaruar ajo para gazetarëve. “Ne do t’i shoqërojmë ata me qëllim që të mund të kthehen në vendlindjet e tyre”.
Pjesëtarë të maskuar dhe të armatosur të Gardës Kombëtare kanë marshuar të enjten përgjatë kufirit në periferi të Ciudad Juarezit. Ata i kanë nxjerrë edhe pajisjet ushtarake nga kamionët, duke patrulluar edhe në pjesë të tjera kufitare afër Tijuanës.
Këto veprime janë ndërmarrë përgjatë kufirit pasi presidenti Trumpi bëri të ditur se do të vinte tarifa të ashpra ndaj Meksikës, por zbatimin e ka shtyrë për një muaj. Në këmbim të kësaj Sheinbaum ka premtuar se do të dërgojë trupa të Gardës Kombëtare për të forcuar kontrollin kufitar dhe për të luftuar trafikimin e fentanilit në Shtetet e Bashkuara.
Trumpi ka shpallur gjendje emergjence përgjatë kufirit pavarësisht se ka rënë theksueshëm shkalla e trafikimit të emigrantëve dhe fentanilit gjatë vitit të kaluar. Shtetet e Bashkuara në këmbim kanë thënë se do të bëjnë më shumë për të ndaluar trafikimin e armëve amerikane në Meksikë për kartelet e dhunshme të drogës, që kanë përfshirë edhe pjesë të tjera të vendit pasi është zhvilluar industria e kamur e trafikimit të emigrantëve./Reuters
Përgatiti: Rexhep Maloku / Kallxo.com