Rreth 100 raste në vit të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve

 

Rreth 100 ekzaminime të personave nga mosha 11-16 vjeçare kryhen brenda vitit në Mjekësinë Ligjore të Kosovës, në Prishtinë, në lidhje me rastet e dyshuara për dhunime seksuale, raporton REL.

Dhuna seksuale paraqet vepër të dënueshme kriminale që sanksionohet me legjislacionin në fuqi të Kosovës.

Në Policinë e Kosovës, zëdhënësi Baki Kelani tha se në rastet kur raportohet dhuna seksuale, intervistohen viktimat dhe më pas ato dërgohen në institucione gjegjëse varësisht nga nevoja e trajtimit, për të vazhduar me procedurat.

Por, Policia nuk e bën një ndarje të këtyre krimeve, duke i përfshirë ato në kuadër të trajtimit të viktimave të trafikimit.

“Kjo shkon përmes sistemit referues në nivel nacional dhe ky dokument ndan rolet dhe përgjegjësitë e secilit institucion si në aspektin e identifikimit, ndihmës së parë dhe mbrojtjes, ndihmës së mëtutjeshme dhe përfshirjes sociale, kthimit apo ri-integrimit të ndihmuar vullnetar si dhe procedura penale dhe civile”, tha Kelani.

Ndërkohë, Bergita Curri, specialiste në Institutin e Mjekësisë Ligjore thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë institut bëhen ekzaminimet e rasteve të dyshuara si krime apo dhunë seksuale, ku përfshihen edhe rastet me të rinjtë dhe të miturit.

“Rreth 90 për qind e viktimave të dhunës seksuale janë të gjinisë femërore. Mesatarisht nga viti në vit janë rreth 100 viktima të dhunës seksuale që ekzaminohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore, që u përkasin moshave 11 deri në 16 vjeç”, tha Curri.

Ajo thotë se numri kaq i lartë i rasteve të raportuara të dhunimeve seksuale është jo vetëm shqetësues, por edhe tronditës.

Ajo thotë gjithashtu se është shqetësues fakti që institucionet bëjnë fare pak, pavarësisht faktit se viktima të dhunës seksuale janë persona në moshës së re.

“Trauma që e shkakton dhuna seksuale te një individ është shumë e madhe. Ka persona të moshave madhore dhe që asnjëherë nuk e tejkalojnë si ngjarje e lëre më nëse kjo ndodh në një moshë kaq të ndjeshme dhe institucionet nuk merren me to”, thotë Curri.

Lidhur me traumat dhe pasojat, Mimoza Shahini psikiatër për fëmijë, i tha Radios Evropa e Lirë se abuzimi seksual, sidomos tek moshat e fëmijëve dhe adoleshencës, ndikon shumë keq në shëndetin e tyre mendor. Ajo tregon për një nga rastet e fundit që tashmë është duke e trajtuar, ku viktimë e dhunës seksuale ishte një vajzë 11 vjeçare.

“Rastin që jam duke e trajtuar, është pikërisht i një vajze 11 vjeçare. Ajo po heziton edhe të kthehet në shkollë, pasi tashmë mendon se të gjithë e dinë rastin e saj dhe e tejkalon të kuptuarit e moshës së saj, pasi është vetëm 11 vjeçe. Disa nga nxënësit tashmë, thotë ajo, i kanë vënë epitete të ndryshme viktimës ,e që po e rëndojnë jetën e një fëmije”, tha Shahini.

Te këto raste, “në fund kërkohet ndihma e psikiatrit ose psikologut të fëmijëve”, thekson ajo.

Ndërkaq, Vlora Nushi, nga organizata “UN Women”, thotë se Kosova nuk ka procedura standarde se si t’u qaset rasteve të dhunës seksuale. Sipas saj, bazuar në informatat që disponon kjo organizatë dhe hulumtimet e bëra, del se dhuna seksuale në Kosovë shpesh shihet edhe si tabu dhe si e tillë, mbetet e paraportuar mjaftueshëm.

Andaj, siç thotë ajo, kjo edhe më shumë po e thellon stigmën tek viktimat, duke e fajësuar veten dhe jo dhunuesin.

“Çka i mungon Kosovës që ta trajtojë këtë problem e që duhet urgjent ta ngris me këtë çështje, është se ne nuk kemi procedura për rastet e dhunës seksuale. Ne jemi munduar ta adresojmë problemin që e ka ngritur Departamenti i Forenzikës në Institutin e Mjekësisë Ligjore bashkë me EULEX-in, ku është raportuar që në Kosovë ka abuzim seksual të fëmijëve, saktësisht vajzave të moshës 11-16 vjeç”, thekson Nushi.

“Ajo çka ne po mundohemi të bëjmë është informata se çka këto vajza duhet të bëjnë. Por, Kosova nuk ka procedura standarde se si t’u qaset rasteve të dhunës seksuale”, thekson ajo.

Në anën tjetër, Mimoza Shahini, psikiatre e fëmijëve, thotë se raportimi i rasteve të dhunimeve seksuale nuk është gjithmonë i lehtë dhe nuk mund të pritet të bëhet gjithmonë nga viktima.

Ajo merr si shembull rastin e vajzës së raportuar si të abuzuar seksualisht në Drenas, e cila sipas hetimeve, del se ishte abuzuar seksualisht nga personat që kanë punuar në institucione.

Abuzimi seksual i vajzës nga Drenasi është thënë të ketë filluar kur ajo ka qenë vetëm 16 vjeç, fillimisht nga profesori i saj. Pas denoncimit në polici nga viktima, edhe hetuesi policor kishte abuzuar seksualisht me të. Ndërkaq një hetim është ngritur edhe ndaj avokatit të saj, nën dyshimet për abuzim seksual ndaj kësaj viktime.

Të dhëna shqetësuese ishin prezantuar edhe te rastet e pedofilisë. Gjatë dy vjetëve të kaluara, në Kosovë janë shënuar 123 raste të ngacmimeve, keqtrajtimeve apo abuzimeve me fëmijë, që njihen edhe si raste të pedofilisë.

Sipas Policisë së Kosovës, në vitin 2017, në polici janë paraqitur si raste të pedofilisë gjithsej 62 raste, kurse në vitin 2018, janë paraqitur 61 raste të tilla.