
Rreth 100 prokurorë të shtetit kujdestarë për procesin zgjedhor
Rreth 100 prokurorë të shtetit janë caktuar kujdestarë për procesin zgjedhor që po zhvillohet në Kosovë, më 09.02.2025.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se pos tyre janë angazhuar dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial.
Ndër të tjera, në njoftim thuhet se të njëjtit do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme.
“Prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”- njofton Zyra e Kryerprokurorit.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula do ta mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ).
“Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”- shkruan në njoftim.
Qytetarët e Republikës së Kosovës sot më 09.02.2025 do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur ligjvënësit dhe Qeverinë e re.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do mbyllen në ora 19:00.
Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.
Në të gjithë territorin e vendit do të hapen 903 Qendra të Votimit, me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.
Në këto Zgjedhje të gjithë ata që do të votojnë me kusht kanë mundësi të votojnë vetëm në një Qendër Votimi, në një Komunë. Sipas KQZ-së do të jenë 38 Qendra Votimi me kusht, me gjithsej 58 vendvotime.
Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.
Procesi i votimit në Kosovë do të monitorohet nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, media vendore e ndërkombëtare dhe përfaqësues të trupave zgjedhore nga vendet e tjera.
Zgjedhjet e sivjetme parlamentare në Kosovë do të sjellin një risi sa i përket vëzhgimit të procesit të votimit, pasi që, për herë të parë, në qendra votimi do të ketë edhe kamera mbikëqyrëse.
KQZ -ja ka akredituar 1680 vëzhguesve për vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës, janë zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.