Rreth 100 persona kërkojnë ndihmë mjekësore në Han të Elezit, dyshohet për helmim

Rreth 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, dje dhe sot, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Hanë Elezit.

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi tha për KALLXO.com se dyshimet e para janë helmim dhe për këtë rast është njoftuar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

“Ka pasur një çrregullim po ende nuk e dimë a është helmim a çfarë, dyshohet prej ujit po ende nuk ka ndonjë analizë, pritët që Instituti i Shëndetësisë t’i marrë mostrat dhe të shohim se me çfarë ka të bëjë. Sot ka po ashtu disa raste, jo në mënyrë masive”, tha Ballazhi.

Ai konfirmoi se rastet në QKMF kanë filluar të paraqitën që nga dita e djeshme.

“Por, mund të jenë diku rreth 100 persona me çrregullime të tilla. Unë jam në kontakt me drejtorët e Shëndetësisë edhe me banorët, momentalisht nuk është shumë alarmante. Dje, ka filluar pasdite në mbrëmje. Instituti është njoftuar, ende nuk kanë ardh me i marrë mostrat por sot vinë. Ne nuk po e dimë ende nga ka ardhu, kanë vjellje, temperaturë e kokëdhimbje”, deklaroi ai.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga IKShPK, por zyrtarët e këtij institucioni kanë qenë të pa paqsshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.