Rreth 1 milion eurove pasuri të AUV-it nuk iu dihet burimi
Rreth një milion eurove pasuri e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), nuk iu dihet burimi i tyre.
Kështu ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin vjetor për Zyrën e Kryeministrit, në kuadër të se cilës funksionon edhe AUV-i.
Në raportin e Audiorit thuhet se për 54 nga 71 mostra të pasurisë, të përzgjedhura për testim me vlerë të përbashkët prej 993,580.00 euro të cilat janë të paraqitura në regjistrin e pasurisë kapitale, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk ka ofruar dokumentacion mbështetës për to.
“Këto pasuri ishin të regjistruara në vitet e mëhershme (para vitit 2010). Si pasojë e mungesës së dokumenteve burimore të pasurive, gjatë ekzaminimit fizik të tyre, në pesë (5) raste në vlerë neto kontabël prej 18,394€ të pasurisë mbi 1,000€ zyrtarët e AUV nuk ishin në gjendje të identifikonin fizikisht pasuritë”, thuhet në raport.
Auditori ka theksuar se sipas Nenit 2 të Rregullores për menaxhimin e pasurisë jo financiare, të gjitha organizatat buxhetore janë të obliguara që të marrin masat e nevojshme për dokumentimin, ruajtjen, evidentimin, tjetërsimin dhe raportimin e pasurisë jo financiare me qëllim të menaxhimit më efektiv, efikas dhe ekonomik, me qëllim të mbrojtjes së pasurisë jo financiare nga dëmtimi dhe keqpërdorimi.
“Mungesa e dokumenteve mbështetëse për pasuritë e paraqitura në regjistër rrit rrezikun që pasuria të keqpërdoret, humbet apo të tjetërsohet si dhe vlera e pasurisë së organizatës e paraqitur në pasqyra financiare të mos jetë e saktë”, thuhet në raport.
ZKA-ja ka rekomanduar se Sekretari i Përgjithshëm dhe Kryeshefi Ekzekutiv i AUV-it duhet të sigurojnë se janë forcuar kontrollet në menaxhimin e pasurisë, në mënyrë që për tërë pasurinë në regjistër të ketë dokumentacion mbështetës.
“Për t’u bërë më i lehtë identifikimi, të gjitha pasuritë duhet të jenë të pajisura me barkode në bazë të regjistrit të pasurive”.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) është autoriteti me i lartë për ushqim dhe veterinari i cili është përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerëzve duke siguruar nivel te lartë të sigurisë së ushqimit, përfshirë edhe ushqimin e kafshëve, shëndetin e kafshëve, shëndetin e bimëve , përkujdesjen ndaj kafshëve si edhe cilësinë e ushqimit me prejardhje bimore dhe shtazore.