
Burimi: www.pixabay.com
Rreth 1 mijë kosovarë vdesin çdo muaj
Vetëm në muajin janar të këtij viti, të dhënave preliminare të statistikave zyrtare të ASK-së, tregojnë se në Kosovë dhe jashtë saj, vdiqën 960 qytetarë. Prej tyre, më shumë raste ishin të gjinisë mashkullore.
“Janë regjistruar gjithsej 960 vdekje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej vdekjeve të regjistruara, 519 janë meshkuj dhe 441 janë femra”- thuhet në publikimin e ASK-së.
Sipas të dhënave për vendin e vdekjes, brenda Kosovës, numri më i madh i vdekjeve ishte në kryeqytet, Prishtinë, me 227 vdekje ndërsa jashtë Kosovës vdiqën 89 qytetarë.
Në krahasim me të dhënat për muajin e njëjtë të vitit të kaluar, numri i vdekjeve në Kosovë dhe jashtë saj, ka pësuar rënie për 37 vdekje më pak.
Në muajin janar 2022, janë regjistruar 997 raste, prej tyre meshkuj 516 dhe femra 481 raste.
Burimi i të dhënave të këtij publikimi ASK thotë se është Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës (ARC), dhe rekomandohet, që këto të dhëna të merren si të dhëna preliminare dhe jo si të dhëna përfundimtare.
Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK] publikon të dhënat preliminare në baza mujore për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet për muajin janar 2023.
Këto të dhëna publikohen duke u bazuar në të dhëna administrative.
Sipas dispozitave ligjore mbi udhëheqjen e regjistrave themeltarë për Lindjet, Vdekjet, Kurorëzimet dhe Shkurorëzimet, rastet regjistrohen në mënyrë të obligueshme në regjistrat e lartë-cekur, në vendin ku ka ndodhur ngjarja, pa marrë parasysh se personat me të cilët lidhet ngjarja, vendbanimin e përhershëm e kanë në atë vend, ose në ndonjë vend tjetër.
Në anën tjetër kujtojmë se në po të njëjtin muaj në vend dha jashtë Kosovës u lindën 2,111 fëmijë.
2,111 lindje në muajin janar 2023, vetëm 4 lindje më shumë se ai vitit të kaluar