Rreth 1.11 miliardë euro më pak qarkullim në vitin 2020

Administrata Tatimore e Kosovës ka shpalosur raportin vjetor të punës për vitin 2020.

Ekrem Hysenaj, zëvendësdrejtor i ATK-së, tha se si për gjithë vendin edhe për këtë institucion, viti 2020 ka qenë mjaft sfidues.

Ai tha se në krahasim me vitin 2019, të hyrat dhe kontributi pensional kanë shënuar rënie të dukshme.

“Në periudhën mars-nëntor 2020, kemi pasur rënie të qarkullimit për afro 1.11 miliardë euro, gjithashtu rënie ka pasur edhe në të hyrat e realizuara dhe kontributet pensionale në krahasim me vitin 2019. Sa i përket inkasimit të borxheve në vitin 2019, kemi pasur 103 milionë euro kurse në vitin 2020, 94 milionë euro”, tha Hysenaj.

Hysenaj foli edhe për sektorët më të prekur nga pandemia gjatë vitit 2020, duke thënë se sektori i argëtimit është ndikuar më së shumti nga masat restriktive të vëna vitin që lamë pas.

“Sektori i argëtimit dhe rekreacioni kanë shënuar rënie deri në 66 për qind, duke u ndjekur nga sektori i patundshmërisë me rreth 27 për qind rënie. Rënie ka pasur edhe në furnizim me rrymë, gas dhe ajër deri në 34 për qind“, shtoi tutje Hysenaj.

Sa i përket shmangieve të ndryshme tatimore, sipas Hysenajt janë regjistruar 141 të tilla.

“Kemi raste kur tatimpaguesi e ka deklaruar trustin për punëtorin, mirëpo nuk e ka transferuar te fondi i kursimeve pensionale; këto janë borxhe që ne tash i trajtojmë. Ka raste kur nuk deklarohet fare as punëtori dhe ne po presim që të na lajmërojnë çdo ditë për raste të tilla”, theksoi Hysenaj.

Hysenaj tutje shtoi se vendimet kryesore që u morën si shkak i pandemisë janë: Zgjatja e afatit për deklarimin e pagesave të detyrimeve tatimore si dhe lirimi i përkohshëm nga pagesa e TVSH-së.

Ndërsa, sa i përket denoncimeve nga qytetarët për parregullsi të ndryshme tatimore janë pranuar 4,194 të tilla.