Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rreshterja e Policisë së Kosovës po hetohet nga IPK për dhunë në familje

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), para dy ditësh ka marrë një informacion të cilin është duke e trajtuar, ndërsa cak i hetimit është një rreshtere policore e stacionit “Qendra” në Prishtinë.

Siç mëson KALLXO.com, burri i rreshteres ka raportuar këtë të fundit në IPK për dhunë në familje.

Tutje burime të KALLXO.com tregojnë se rasti nuk ka të bëjë me ndonjë dhunë fizike e cila dyshohet se ka ndodhur mes çiftit.

Në lidhje me rastin është njoftuar edhe Prokuroria e Shtetit. KALLXO.com ka kontaktuar me IPK në lidhje me rastin. Sipas tyre janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për të zbardhur rastin.

“Duke ju referuar kërkesës suaj, në këtë faze fillestare hetimore ju konfirmojmë se IPK është duke trajtuar këtë rast dhe të gjitha veprimet hetimore janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e shtetit”, ka thënë IPK për KALLXO.com.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj ka thënë se janë duke i analizuar informacionet në lidhje me këtë rast.

“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke i analizuar dhe vlerësuar të gjitha informatat dhe rrethanat lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigje.