Rrëshqitjet e dheut në Veternik, Inspektorati komunal pret aprovimin për ndryshimin e projektit të ndërtimit

Banorët e lagjes “Veternik” në Prishtinë janë ankuar për rrëshqitje të serishme të dheut në lagjen e tyre, si shkak i ndërtimit të një kompleksi banesor nga kompania “EREA HOME” SH.P.K.

Lidhur me këtë rast, Inspektoriati i Prishtinës, më 29.08.2024 ka njoftuar se janë në pritje të aprovimit të plotësim/ndryshimit të projektit kryesor për ndërtimet në Lagjen “Veternik” nga Drejtoria e Urbanizimit.

“Rasti është duke u shqyrtuar edhe më tutje në Inspektorat për të parë nëse duhet të ndërmirrën edhe masa të tjera nga investitori konfrom rrethanave të reja të krijuara aty dhe me qëllim të sanimit sa më të shpejtë të gjendjes” – thuhet në njoftimin e Inspektoratit të Prishtinës.

Me 07.08.2024, KALLXO.com ka raportuar për dëmtimet në rrugën “Afërdita Ukshini” ku banoret kanë mbetur të “bllokuar” për shkak të dëmtimit të rrugës nga punimet e kompanisë së lartcekur.

Pas këtij raportimi të KALLXO.com, komuna ka marrë masa për sanimin e dëmeve të kësaj rruge.

Ndërsa me 16.08.2024, Kallxo.com ka raportuar edhe për shembjen e dheut në rrugën “Shkupi” në lagjen “Veternik” të Prishtinës si shkak i ndërtimeve të Kompanisë “EREA HOME” SH.P.K.

Në njoftim thuhet se menjëherë pas pranimit të informacionit për rrëshqitjen e dheut dhe dëmtimin e rrugës, Inspektorati ka ndërmarrë veprime të menjëhershme në përputhje me autorizimet ligjore që ka.

Lidhur me këtë, Inspektori përgjegjës, përveç zhvillimit të procedurave të tjera duke përfshirë edhe gjobitjen, ka nxjerrë edhe vendim për ndërprerjen e të gjitha punëve ndërtimore dhe urdhëresë për sanimin e gjendjes së krijuar pas rrëshqitjes së dheut.

“Inspektoriati ka nxjerrë vendim mbi ndërprerjen e te gjitha punëve ndërtimore (përveç punëve që ndërlidhen me sanimin e gjendjes së krijuar) përmes të cilit edhe është urdhëruar investitori që të aplikojë në Drejtorinë e Urbanizmit për plotësim/ndryshim të projektit të sigurimit të gropës ndërtimore. Ka nxjerr urdhëresë edhe për sanimin e menjëhershëm gjendjes së krijuar pas rrëshqitjes së dheut”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit të Kryqytetit.

Pas raportimit të datës 16.08.2024 për shembjen e dheut në lagjen “Veternik”, kompania ndërtuese “Erea Home” SH.P.K ka konfirmuar se punimet janë ndërprerë dhe kanë bërë kërkesë në Drejtorinë e Urbanizmit për ndryshim të projektit për sigurimin e gropës ku po ndërtohet.

Sipas Inspektoriatit të  Prishtinës, punët ndërtimore të kompleksit banesor në lagjen “Veternik” janë duke u zhvilluar sipas lejes ndërtimore  (Vendimi Nr.05-351/02-265993/22, të dt. 19.09.2023)

Në njoftim thuhet se Inspektoriati i Kryeqytetit edhe përpara rrëshqitjes së dheut dhe dëmtimit të rrugës, gjatë kontrollit inspektues ka urdhëruar investitorin që të rrethojë gropën ndërtimore dhe t’i marrë masat e nevojshme të sigurisë – “ndërtim dhe respektimin e plotë të projektit të aprovuar të gropës ndërtimore.”

Shembja e dheut nga ndërtimet, Komuna e Prishtinës ndërhyn edhe në një rrugë në ‘Veternik’

Nga punimet e një kompanie u dëmtohet rruga, banorët në rrugën “Afërdita Ukshini” mbesin të “bllokuar”