Rrëshqitje dheu në Prishtinë, komuna: Punimet janë duke u zhvilluar sipas lejes së ndërtimit

Faqja në Facebook “Vrojtuesit e lagjes- Prishtinë”, ka publikuar një video në të cilën shihet rrëshqitja e dheut përgjatë punimeve në një lokacion në Prishtinë.

Në lidhje me pamjet e kësaj video, Komuna e Prishtinës thotë se Drejtoria e Inspeksionit ka dalë në vendin e ngjarjes e që sipas tyre, punimet janë duke u zhvilluar sipas lejes së ndërtimit.

“Duke parë raportimet në media dhe shqetësimin e drejtë të opinionit pas publikimit të një videoje në të cilën duket një rrëshqitje e dheu në një punishte, Drejtoria e Inspeksionit ju njofton se ka dalur në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se, punimet aty janë duke u zhvilluar sipas lejës së ndërtimit lëshuar nga organi kompetent komunal”- ka thënë Arlinda Kastrati, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës.

Nga komuna janë shprehur se investitori ka ndërmarrë masat e kërkuara dhe të nevojshme për sigurimin e gropës ndërtimore, teksa shton se rrëshqitja ka ndodhur edhe për shkak të kushteve atmosferike.

“Gjithashtu është konstatuar se investitori, ashtu siç mund të shihet edhe në video, ka ndërmarrë masat e kërkuara dhe të nevojshme për sigurimin e gropës ndërtimore por pavarësisht kësaj, për shkak edhe të kushteve të rënda atmosferike, ka ndodhur një gjë e tillë”- tha Kastrati për KALLXO.com.

Më tej, komuna bën të ditur se pala është urdhëruar që të sanojë gjendjen e shkaktuar pas rrëshqitjes së dheut dhe është urdhëruar përmes një urdhërese që të rimarrë masat e sigurisë ashtu siç e ka të përcaktuar në leje të ndërtimit dhe konform gjendjes që ekziston tashmë në terren.

Nuk dihet për lokacionin e saktë se ku ka ndodhur rrëshqitja e dheut.