Një autostradë në Kosovë - Foto: REL

Rrëshqitje dheu dhe vështirësi kalimi në disa zona, Ministria e Infrastrukturës njofton për gjendjen e rrugëve

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar ka njoftuar për gjendjen e rrugëve nëpër Kosovë pas reshjeve të shiut.

Ministria apelon tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes të shtuar dhe t’i kenë veturat me pajisje dimërore.

Ministria njofton qytetarët se pas reshjeve të shiut në drejtim të auto-udhës Vermicë – Gjurgjicë në kilometrin e 53 ka rrëshqitje të dheut, të një sasie jo të madhe, por që auto-udha “Ibrahim Rugova” është e qarkullueshme.

“Ministria e Infrastrukturës e ka sinjalizuar vendin dhe ekipet janë duke punuar për ta sanuar gjendjen”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se gjatë natës në disa regjione ka pasur reshje bore, por kompanitë e mirëmbajtjes kanë intervenuar me pastrim të borës dhe kripë sidomos në regjionin e Pejës e Gjakovës, si dhe në viset malore.

Auto-udha “Doganaj – Hani i Elezit”, auto-udha “Konjuh – Doganaj”, regjioni i “Ferizajt 1” dhe “Ferizajt 2”, si dhe “Prishtina 2” janë krejtësisht të lira për qarkullim.

“Ndërsa në regjionin e “Gjilanit 2″, gjendja e rrugëve është e mirë, ka pas reshje shiu dhe në vendet me lartësi më të lartë ka mjegull. Te Gjilani 2 të gjitha rrugët janë në gjendje të mirë, në disa pjesë për shkak të reshjeve të shiut ka erodime, por që rrugët janë të kalueshme”, vazhdon njoftimi.

Ministria njofton se është intervenuar në shpërndarjen e kripës në rrugët: Prizren – Prevallë, Zhur -Dragash – Restelicë, Dragash – Brod.

Në regjionin Peja 1, ka reshje të borës me intensitet të lartë, po ashtu ka intervenime në largimin e borës dhe shpërndarjen e kripës në të gjitha rrugët që janë nën përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës.

Po ashtu është intervenuar me kripë në rrugët: Prishtinë – Mutivodë (segmenti Stallovë – Mutivodë), QMI – Carralevë (segmenti Shtime-Carralevë) dhe Komoran – Carralevë (segmenti Salë – Carralevë).

“Ministria e Infrastrukturës, bashkë me Policinë e Kosovës dhe kompanitë e mirëmbajtjes janë në terren 24 orë për t’i mbikëqyrur rrugët e Kosovës dhe për të mundësuar qarkullim normal”, përfundon njoftimi.