Rrënohet mbindërtimi ilegal në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se është bërë rrënimi i mbindërtimit ilegal në një objekt banesor në lagjen “Bregu i Diellit”.

Sipas Ahmetit vendimi për rrënimin e këtij objekti u zbatua nga inspektorët përkatës përmes kompanisë së kontraktuar për rrënime.

Sipas njoftimit, në rastin në fjalë, qysh prej fillimit të punimeve, inspektori i zonës i ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore, por nuk është përfilluar nga pala.

“Pas shkeljes së vendimit për ndërprerje të punimeve, është nxjerrë vendimi për rrënim, me ç’rast pala ka pas afat disa ditë për ta rrënuar vet mbindërtimin. Meqë një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe afati ka kaluar, vendimi u zbatua nga inspektorët përkatës përmes kompanisë së kontraktuar për rrënime”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social Facebook.