Rrenat e vitit në Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve

2 prilli është Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve dhe nuk është rastësi që kjo ditë është zgjedhur të jetë menjëherë pas 1 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Rrenës, pasi kjo vë theksin edhe më shumë tek e vërteta dhe faktet.

Krypometri, produkt i KALLXO.com është i vetmi mjet i certifikuar për verifikim të fakteve në Kosovë nga Rrjeti Ndërkombëtar për Verifikim të Fakteve (IFCN).

Krypometri, matësi i së vërtetës apo verifikuesi i fakteve, vitin që po e lëmë pas, personazhe kryesore i ka pasur politikanët.

Mashtrimet më të mëdha gjatë vitit prej tyre kanë qenë ato për liberalizimin e vizave. Edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit është shfrytëzuar nga politikanët për të dhënë premtime të cilat nuk i kanë mbajtur.

Përveç deklaratave e premtimeve që nuk janë mbajtur ka pasur edhe të atilla që kanë marrë vulën si të vërteta pasi janë analizuar nga Krypometri.

“13 ditë deri në liberalizim”

Rrena për liberalizimin e vizave janë thënë që nga viti 2011, kur në atë kohë ish-kryeministri Hashim Thaci kishte premtuar se kosovarët do të ecin lirëshëm pas 15 muajëve. Secili prej politikanëve që ka mbajtë poste publike e kanë vazhduar avazin e premtimeve për liberalizim të vizave.

6 burrat të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj e Dardani Gashi ishin nisur nga Brukseli për në Prishtinë, në korrik të vitit 2018. Ata, në një konferencë për media, të gjitha i kishin uruar qytetarët e Kosovës për liberalizim të vizave.

Liberalizimi nuk ndodhi. Madje, kur viti 2018 po numëronte ditët e tij të fundit, ish-kryeministri Ramush Haradinaj arriti të nxjerrë një premtim të fundit për liberalizim të vizave. Në një konferencë pas mbledhjes së qeverisë, Ramush Haradinaj kishte thënë se liberalizimi pritet të bëhet para përfundimit të vitit 2018, pra pa filluar vitit 2019.

“Ne tani kemi dy kërkesa për BE-në e kemi normalizimi i dialogut dhe liberalizimi i vizave, këto dyja janë në proces kjo nuk ndërlidhet me taksën kjo është e ndame. Besoj se do ta marrim liberalizimin jo shumë larg, para Vitit të Ri, por kjo nuk ndërlidhet me taksën”, tha Haradinaj 13 ditë pa përfunduar viti 2018. Premtime për viza kishte thënë edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë kohës sa ishte kryeministër i Kosovës.

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të vetmi në Rajonë që nuk mund të lëvizin pa viza.

Loja e Flora Brovinës me tragjedinë e dhunimeve

Nga rrenat nuk u kursyen as viktimat e luftës. Më 16 maj 2019, në ditën kur Kuvendi i Kosovës po mbante seancën plenare për të votuar rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë, deputetja e PDK-së, Flora Brovina doli në hollin e Kuvendit dhe tha se do të dëshmojë për krimet e luftës në Kosovë duke thënë se ka fakte.

Para mediave, të cilat po e transmetonin live deklaratën e saj, Brovina mbante në dorë një fotografi te pa-censuruar ku shiheshin tre burra me uniforma ushtarake duke e dhunuar një grua. Ajo deklaronte e bindur se në fotografi shiheshin ushtarët serbë duke dhunuar një grua kosovare.

“Sikur neve na është mbyllur goja dhe mundësia për të fol këto gjëra. Në qytete të mëdha kanë ekzistuar punkte të veçanta për dhunime. Një dëshmi është kasetë që i është gjetur një ushtari serb, me akte të dhunimit në Vushtrri, incizim që është bërë me rrobat e përgjakura të grave dhe ky incizim iu është dorëzuar prokurores së Tribunalit të Hagës. Ka mjaft të tjera dëshmi, kam histori të këtyre grave që jo të gjitha janë si heroina që dëshmojë në OKB. Por, para gjykatës dhe dëshmitë që këtu është bërë një gjenocid”, deklaroi deputetja Brovina.

Më pak se një muaj pas publikimit të fotografisë, Prokuroria Speciale ka nxjerrë rezultatet e ekspertizës së fotografisë që deputetja Flora Brovina e kishte prezantuar si provë të një dhunimi gjatë luftës në Kosovë. Sipas Prokurorisë, fotografia e prezantuar nga Flora Brovina më 16 maj, në hollin e Kuvendit të Kosovës, është nxjerrë nga interneti dhe nuk ka të bëj me rastet e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Fotografit ishin nxjerrë nga skemat e një filmi për të rritur.

Kadri Veseli i ha fjalët për largim të njerëzve me aktakuza nga PDK-ja

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat janë zhvilluar më 6 tetor 2019, ka qenë një mundësi e mirë për rrena të politikanëve. Kjo mundësi është shfrytëzuar edhe nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Më të marrë mandatin e dytë në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli kishte marrë vendim që të ndajë rrugët me njerëzit me aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm.

“[Veseli] i siguroi të gjithë qytetarët se nuk do të lejoj që asnjë person me aktakuza për korrupsion të mbajnë pozita në Partinë Demokratike të Kosovës dhe në institucionet që udhëhiqen prej saj”, thuhej më tej në një njoftim të PDK-së. Kreu i PDK-së po ashtu ka konfirmuar se partia që drejton nuk do të kandidojë e as nuk do të mbështesë kandidatët e asnjë subjekti politik që kanë aktakuza të konfirmuara.

Me rënien e qeverisë së koalicionit PDK-AAK-NISMA dhe paralajmërimin e zgjedhjeve të reja, gjerat kishin ndryshuar në PDK. Sami Lushtaku që deklaronte se në partinë e tij janë 4-5 njerëz që e kanë në kontroll gjithë shtetin ishte kthyer në takimin e Këshillit Drejtues të PDK-së. Pjesëmarrës në këtë organ drejtues të partisë ishte edhe Adem Grabovci, protagonist i skandalit “Pronto”. Premtimi i Veselit për t’i larguar njerëzit me aktakuza nga partia i dhënë me datën 19 qershor ishte thyer me datën 29 korrik, apo gjashtë javë më vonë.

Rrena e Endrit Shalës për ‘konfliktin verbal’ me gazetarin

Ka pasur raste kur edhe pamjet kanë demantuar deklaratat publike të politikanëve. Një rast i tillë ka qenë edhe ai i ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Shala ishte akuzuar nga një gazetar për sulm por i njëjti për media kishte deklaruar se nuk e kishte sulmuar gazetarit por me të njëjtin kishin pasur vetëm ‘konflikt verbal’.

Pamjet të cilat i kishte siguruar KALLXO.com demantuan deklaratën e ish-ministrit Shala.

Në këto pamje dukej qartë se si rrjedh ngjarja. Gazetari Ensar Ramadani deri sa priste para Emergjencës në QKUK, sheh ish-ministrin Endrit Shala deri sa vjen në po të njëjtin vend për shkak se i plagosuri i shtrirë në QKUK ishte i afërm i tij.

Pasi e kishte parë se ishte fotografuar, Shala i ishte drejtuar menjëherë gazetarit duke e goditur atë në fytyrë.

Gjithashtu në pamje mund të shihni se janë dy zyrtarë policor, njëri nga i cili nuk ndërmerr asnjë veprim e tjetri që mundohet të qetësoj ministrin duke e larguar nga aty.

Rrena e parë e koalicionit LVV-LDK

Qeveria e re solli edhe rrenën e parë. Më 2 shkurt, kur Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), arritën marrëveshjen për koalicion me ç’rast edhe njoftuan se numri i ministrive nuk do të jetë 12 ashtu siç ishte premtuar por do të jetë 15.

Në konferencën për media, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion, Albin Kurti, kishte thënë se Qeveria e re do të ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

“Jemi dakorduar që në qeverinë e ardhshme t’i kemi 15 ministri gjithsej, t’i kemi dy zëvendëskryeministra dhe do të jenë diku 33 zëvendësministra. Pra nga 21 ministri që kishim në qeverinë paraprake, tash do t’i kemi vetëm 15 dhe nga 80 zëvendësministra do të biem në rreth 33”, tha Kurti.

Prej 15 ministrive, 6 do t’i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, 6 LDK-së dhe tri të tjera do t’i takojnë komuniteteve jo shumicë.

Të dy këto parti, që nga fillimi i fushatës zgjedhore, e deri tek harmonizimi i programit të tyre qeverisës kanë deklaruar që numri i ministrive do të jetë 12, ku LVV-së dhe LDK-së do t’i takojnë nga 5 ministri, ndërsa dy minoriteteve.

Politikanët që e mbajtën fjalën

Më 3 shkurt, Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës, por para se të zgjidhej në këtë pozitë, Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka prezantuar kabinetin e tij qeveritar me 15 ministri, 2 zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Në prezantimin e tij ai kishte treguar se 5 ministri do të udhëhiqen nga gratë.

Hykmete Bajrami ministre për Arsim, Vlora Dumoshi ministre për Kulturë, Rini dhe Sport, ministre e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ministre e Ekonomisë, Rozeta Hajdari si dhe ministre e Administratës Emilia Rexhepi.

Kurti kishte premtuar që 30 përqind të ministrive të qeverinë e tij do të udhëhiqen nga gratë.

Ai madje kishte nënshkruar edhe shtatë zotimet e organizatës Demokraci Plus (D+) për qeverisje të mirë.

Edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri e ka mbajtur premtimin për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të dhëna në vitin 2017.

Në fund të vitit 2018, më shumë se gjashtë muaj para publikimit të raportit të auditimit, kryetari Muhaxheri kishte thënë se në vitin 2018 do të adresojnë 60% të rekomandimeve të Auditorit.

“Për vitin 2018 jemi në fazën e implementimit ose planit të veprimit për me i eliminu këto rekomandime të Auditorit të Përgjithshëm, dhe besoj se do t’i tejkalojmë deri në 60 %”, ka thënë Muhaxheri në debatin e mbajtur në nëntor të vitit 2018 në Kuvendin Komunal të Pejës.

Sipas raportit të Auditorit të publikuar në muajin maj të vitit 2018, kjo po del të jetë e vërtetë.

Nga 19 rekomandimet e marra, Komuna e Pejës ka zbatuar 11 prej tyre, 6 nuk i ka zbatuar, 1 rekomandim është proces të zbatimit dhe 1 rekomandim është mbyllur.

Në bazë të llogaritjeve del që Komuna e Pejës në vitin 2018 ka zbatuar 58 % të rekomandimeve.