Ilustrim

Rrëmbimi për shkak të borxhit, i dyshuari me adresë banimi në Serbi dhe në Rahovec

Dy persona dyshohet se janë rrëmbyer për shkak të një borxhi të vjetër nga një person i dyshuar i cili ndodhet në arrati.

KALLXO.com merr vesh se i dyshuari tashmë është i njohur për organet e rendit dhe se i njëjti sipas prokurorit të Prokurorisë së Gjilanit ka adresë në një fshat të Rahovecit dhe po ashtu ka adresë edhe në Serbi.

“Lidhur me rastin nuk mund të jap informacione të zgjeruara pasi është akoma herët”, ka thënë prokurori Agron Uka për KALLXO.com

Ai ka thënë se i dyshuari për rrëmbimin ende nuk është arrestuar dhe se i njëjti ndodhet në arrati.

“Për këtë rast nuk ka akoma të arrestuar kurse i dyshuari kryesor sipas informatave tona ka adresë edhe në Serbi edhe në një fshat të Rahovecit”, ka thënë prokurori Uka.

“Identiteti i viktimave për ne është i njohur sikurse edhe indentiteti i të dyshuarit. Sipas hetimeve preliminare të cilat i kam pranuar nga hetuesit bëhet fjalë për një borxh të vjetër. E them prapë këto janë vetëm hetime preliminare, pa dashur ta dëmtoj rrjedhën e procedurës”, tha për kallxo.com Agron Uka, prokuror në Prokurorinë e Gjilanit.

Rrëmbehen dy persona