Njëri nga të akuzuarit në lidhje me rrëmbimin e dy shtetasve maqedonë në Gjilan. FOTO-KALLXO.com

Rrëmbimi i shtetasve të Maqedonisë V., 34 vjet burgim për dy policët dhe të akuzuarit tjerë

Gjykata e Gjilanit i ka dënuar me 34 vjet burgim Visar Kërqelin, Marigona Islamin, Valon Kiqinën, Besjan Nezirin, Merita Zymberajn ndërsa është liruar nga akuza i pandehuri Flamur Sopi.

Dy nga të dënuarit, Visar Kërqeli dhe Besjan Nezirin janë zyrtarë policorë.

Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Visar Kërqelin, duke i shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vite burgim, të akuzuarën Marigona Islamit i ka shqiptuar me 8 (tetë) vite burgim, të akuzuarin Besjan Nezirin e ka dënuar me 7 (shtatë) vite burgim, të akuzuarin Valon Kiqinën me 7 (shtatë) vite burgim dhe të akuzuarën Merita Zymberajn me 4 (katër) vite burgim.

Sipas komunikatës së gjykatës të akuzuarit dyshohet se më datën 16 – 17 Shkurt 2021, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, i kanë marrë dhe kanë mbajt nën kërcënimin e armës dy shtetas maqedonas në një vilë në komunën e Novobërdës, të cilët i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video incizime, të cilat pastaj ia kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve.

Në komunikatën e gjykatës thuhet se të akuzuarat Marigona Islami dhe Merita Zymberaj merren vesh me të akuzuarit e tjerë që të i joshin të dëmtuarit për marrëdhënie seksuale, mirëpo pas hyrjes në vilë, e akuzuara Marigona Islami në koordinim me të akuzuarit, kërkon që të hyjnë vrullshëm nën presionin – kërcënimin e armëve, më pas prangosin të dëmtuarit dhe i godasin me kondak të armës.

Me këto veprime, të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale rrëmbimi vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjykata ka nxjerrë aktvendim, më anë të cilit të akuzuarve Visar Kërqelit, Marigona Islamit, Valon Kiqinës dhe Besjan Nezirit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, ndërsa të pandehurit Flamur Sopi dhe Merita Zymberajt u ndërprehet sot masa e paraburgimit.

Katër nga të arrestuarit për rrëmbimin e shtetasve maqedonas me të kaluar kriminale

Suspendohet punëtori i RTK-së, dyshohet se u përfshi në skandalin e rrëmbimit në Gjilan

Gjykimi për rrëmbim në Gjilan, Gjykata ndalon publikimin e deklaratave të të akuzuarve