Kërkimi i Malësor Dashit e Armend Trenes në Lepenc-Foto: KALLXO.com

Rregullimi i shtratit të lumit Lepenc, Ministria e Mjedisit punoi me projektin e viteve ’80-ta

Komisioni i përbërë nga tre arkitektë dhe asnjë inxhinier të fushës përkatëse e ka bërë pranimin punëve të realizuara për rregullimin e shtratit të lumit Lepenc.

Në dokumentin e pranimit të punëve, sipas një raporti të Ministrisë Mjedisit për shqyrtimin e investimeve kapitale të kësaj ministrie, thuhet se pranimi i punëve është bërë në bazë të projektit kryesor, i cili në fakt nuk ekziston.

“Në bazë të Raportit të pranimit teknik, dëshmohet se pranimi teknik është realizuar në mungesë të lejes ndërtimore. Në shkresat e lëndës nuk ka projekt kryesor, ndërsa në pranimin teknik thuhet se pranimi është bërë në bazë të projektit kryesor”, thotë  Raporti e grupit punues që është themeluar nga ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.

Tutje, ekspertët që janë pjesë e këtij grupi kanë sqaruar se projekti i kishte katër faza, prej të cilave vetëm njëra kishte projekt që ishte i viteve të 80-ta.

“Nga Komuna e Kaçanikut ishte dorëzuar vetëm vëllimi i IV i projektit, projekt i viteve të ’80-ta dhe i cili ka përfshirë vetëm pjesën e ndërtimit, ndërsa faza I, II dhe III e projektit, në shkresat e lëndës nuk ka projekt dhe konsiderojmë se punët janë zhvilluar pa projekt”, thuhet në raport.

Rregullimi i shtratit të lumit Lepenc në Kaçanik është bërë pa leje ndërtimore.

Anomali janë gjetur edhe tek mbikëqyrja e punimeve që është bërë nga kompania private.

Sipas këtij grupi të ekspertëve mbikëqyrja e punëve është bërë pa pasur dokumentacion ndërtimorë të kompletuar.

“Pranimi teknik ishte bërë në bazë të një pjese të projektit kryesor të pakompletuar dhe në bazë të paramasës dhe parallogarisë kontraktuese dhe pa leje ndërtimore”, thotë në fund Raporti i Grupit Punues të Ministrisë së Mjedisit.

Sipas Raportit, kërkesën për ministrinë, për ndërtimin e shtratit të lumit Lepenc e kishte bërë Komuna e Kaçanikut, ndërsa inicimin e procedurave të prokurimit në nivel të Ministrisë e kishte bërë Koordinatori i projekteve në atë kohë, e jo njësia kërkuese. Në Raportin e këtij Grupi Punues nuk është bërë e ditur shuma totale e këtij projekti.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.