Rregullimi i kanalizimit të dëmtuar në 'Mati 1', nuk pritet të bëhet shpejtë

Në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë për disa ditë ka rrjedhje të ujërave të zeza, kjo gjë po paraqet problem tek banorët e asaj zone.

Arjeta Mjeku, zëdhënëse në kompaninë e Ujësjellësit “Prishtina” ka thënë për KALLXO.com se uji ka dalur në sipërfaqe për shkak të shpërthimit të gypit nga peshat e rënda.

“Në rrugën ‘Uran Ajeti’, që është e njëjta linjë me rrugën ‘Muharrem Fejza’ në Prishtinë, gypi i kanalizimit është shumë i dëmtuar për shkak të peshave të rënda dhe se pozicioni i tij është shumë i cekët, andaj edhe është dëmtuar më me lehtësi”, ka thënë Mjeku.

Mjeku tutje shtoi se aty ka vazhdimisht ndërhyrje por që sipas saj nuk zgjasin shumë dhe gypat dëmtohen përsëri.

Ajo tutje theksoi se Komuna e Prishtinës shumë shpejtë do të ndërrojë rrjetin e kanalizimit për ta zgjidhur këtë problem.

“Me këtë rast, ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit në atë rrugë kanë intervenuar me dhjetëra e dhjetëra herë, saqë çdo të dytën ditë ekipet janë aty, por intervenimet e tilla janë të përkohshme, mos me thënë ditore, derisa kemi të bëjmë me ndrydhje të gypit. Në marrëveshje me komunën e Prishtinës, ne kemi realizuar ndërrimin e një segmenti të gypit të kanalizimit me gjatësi prej rreth 30 metra, i cili ka qenë urgjencë për shkak të dëmtimit më të madh, derisa ata kanë thënë që do merren me pjesën tjetër të ndërrimit. Ka mbetur që aty, komuna e Prishtinës të merret me komplet ndërrimin e rrjetit të kanalizimit dhe sipas informacioneve që kemi ata shumë shpejtë do të merren me këtë problem që po i shqetëson banorët”, shtoi tutje Mjeku.

Ndërsa Suzana Pllana, zyrtare e lartë për ndërtim në Drejtorinë e Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës tha për Kallxo.com se janë në fazë të përgatitjes së kontratës për të filluar punimet në këtë rrugë.

“Në Rrugën ‘Muharrem Fejza’ punimet do të fillojnë me fillimin e sezonit pranveror, ndërsa rrugët të cilat lidhen me rrugën Muharrem Fejza, Rr. ‘Uran Ajeti’ dhe ‘Ukshin Kovaçica’ jemi në fazën e përgatitjes së materialit për ofertim, me nënshkrimin e kontratës do të fillojmë menjëherë me punime”, ka thënë Pllana.