Rregullatori propozon të mos ketë shtrenjtim të rrymës

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që gjatë këtij viti të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike. Propozimi i Rregullatorit për të hyrat maksimale për ndërmarrjet energjetike, për periudhën 1 prill 2020-31 mars 2021, të jetë 273.3 milionë euro. Këto të hyrat mund të grumbullohen edhe me tarifat aktuale të energjisë elektrike.

Përkundër faktit që nuk është propozuar shtrenjtim i energjisë elektrike, Rregullatori ka paraparë që të ketë një rritje të të hyrave krahasuar me vitin e kaluar, kryesisht të bazuar në rritje të konsumit. Propozimi i ZRrE është që të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin 2020 të jenë 273.3 milionë euro. Përderisa në raportin përfundimtar të vitit 2019, kjo shifër ka qenë 248.82 milionë euro, apo 24.48 milionë euro më pak.

Sipas ZRrE-së, kjo shifër (273 milionë euro) paraqet shumën që do të mbulohet nga tarifat e rregulluara të shitjes me pakicë, nga 1 prilli i këtij viti deri në fund të muajit mars të vitit 2021.

Propozimi i ZRrE-së nuk është në përputhjen e kërkesës që ka ardh nga KESCO, të cilët kanë kërkuar që të hyrat maksimale të jenë 303 milionë euro.

“Me aplikimin e tarifave aktuale mbi përcaktuesit e faturimit të parashikuar për vitin 2020, priten të hyra të faturuara në vlerë prej 275.91 milionë euro”, thuhet në aplikacionin e KESCO-së.

Propozimi i ZRrE-së ka dal në diskutim publik nga ana e ZRrE-së është pjesë e Përshtatjeve të Rregullta Vjetore për të Hyrat e Lejuara Maksimale (MAR) për KEDS, KESCO dhe KOSTT.

Në këtë proces, ZRrE-ja do të bëjë propozimin fillestar për MAR-in për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU). Por, në këtë shumë është përfshirë edhe buxheti i KEK-ut si kosto e KESCO-së për blerjen e energjisë.

Ky vlerësim fillestar i ZRrE-së bazohet në propozimet e dorëzuara nga KEDS dhe KOSTT si dhe vendimet për Të Hyrat e Lejuara Maksimale për periudhën rregullative 2018-2022.

Sipas raportit konsultativ të ZRrE-së, sasia e energjisë që planifikohet të konsumohet nga konsumatorët është e barabartë me sasitë që duhet të mbulohen nga burimet e ndryshme të furnizimit.

Sasia e furnizimit me energji elektrike është 4,111 gigawat për orë (GWh), në të cilën hyn edhe sasia e energjisë elektrike me të cilën furnizon KEK-u dhe energjia e importuar. Sasia e furnizuar nga KEK-u është 3,496 gigawat për orë (GWh) kurse sasia e importuar e energjisë elektrike është 156 gigawat për orë (GWh).

Te kosto e energjisë e blerjes me shumicë, totali i sasisë së furnizuar prej 4,111 GWh kap vlerën 135,650 mijë euro, ku një megawat për orë kushton 33.74 euro.

Sasia e energjisë elektrike prej 3,496 GWh, e furnizuar nga KEK-u kushton 103,126 mijë euro, ku vetëm një megawat për orë kushtohet 29.5 euro.

Ndërsa një megawat për orë e energjisë së importuar elektrike kushton 57 euro.

“Është e rëndësishme të theksohet, që FSHU është i obliguar sipas Rregullës për të Hyrat e FSHU-së, përkatësisht neni 17 dhe Shtojca 3, që të sigurojë energji elektrike në mënyrë transparente, konkurruese dhe efikase. Si rrjedhojë FSHU duhet të demonstrojë që çmimet e blerjes së energjisë duhet të jenë të arsyeshme dhe të jenë në përputhje me kërkesat e nenit 17 të Rregullës për të hyrat e FSHU”, thuhet në raportin konsultativ të ZRrE-së.

Në mungesë të këtyre dëshmive, ZRrE në vlerësimin preliminar ka parashikuar kostot e blerjes së energjisë me shumicë bazuar në çmimet aktuale të realizuara në vitin 2019.

Po ashtu, tek MAR-i është përcaktuar edhe përshtatja e të hyrave, e cila e kap vlerën e -12.7 milionë euro do të bartet gjatë përcaktimit të hyrave të lejuara maksimale për vitin 2020.

Në raportin konsultativ të ZRrE-së thuhet se gjatë analizimit të blerjeve të energjisë me shumicë dhe faturimit të energjisë për konsumatorët me shërbim universal nga KESCO, ZRrE ka vërejtur një dallim në sasinë e energjisë së blerë me shumicë dhe sasisë së energjisë së faturuar për konsumatorët me shërbim universal.

“Ky dallim rrjedh nga mekanizimi balancues, dhe ato do të trajtohen pas rishikimit të mekanizmit balancues. Për të bërë përshtatjet e vitit 2019, të cilat do të aplikohen gjatë përcaktimit të MAR-it të FSHU-së për vitin 2020, së pari duhet bërë vlerësimin e kostove aktuale të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët e FSHU-së. Pas vlerësimit të këtyre kostove duhet të bëhet zbritja nga të hyrat që kanë rezultuar nga faturimi në vitin 2019 nga aplikimi i tarifave”, thuhet në raportin konsultativ të ZRrE-së.

Raporti konsultativ nuk paraqet ndonjë vendim të ZRRE-së. ZRrE ka ftuar të gjitha palët e interesuara që komentet e tyre eventuale rreth propozimeve të ZRrE-së, të paraqitura në këto raporte, t’i dërgojnë me shkrim në adresë të ZRrE-së deri më 4 mars 2020.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.