Rregullatori i BE-së miraton përdorimin e vaksinës së Pfizer/BioNTech

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) e ka miratuar vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer-BioNTech.

Agjencia tha se hapi “historik” hap rrugën që vaksinimet të fillojnë përfundimisht brenda disa ditësh në 27 vendet anëtare të BE-së.

“Është një hap i rëndësishëm përpara në luftën kundër kësaj pandemie që po shkakton vuajtje dhe vështirësi”, tha shefi i EMA-s, Emer Cooke në një konferencë për media.

Fillimisht data e shqyrtimit për miratimin e vaksinës ka qenë 29 dhjetori, por Agjencia e zhvendosi vendimarrjen më herët pasi ishte nën presion nga qeveritë e BE-së.

Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe një sërë vendesh tjera tashme e kanë miratuar përdorimin e kësaj vaksine.

Komisionin Evropian pritet që të nënshkruajë zyrtarisht vendimin për përdorimin e saj. Agjencia Evropiane e Barnave do të vendosë edhe për vaksinën e kompanisë Moderna, më 6 janar. Vaksina Pfizer/BioNTech ka dalë të jetë 95 për qind efektive në fazën e fundit të testimit.

Vaksina Moderna, e cila përdor teknologji të ngjashme, është 94 për qind efektive.

Të dyja vaksinat duhet të jepen në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh. / REL