Rrëfimi se si e paralajmëroi eksperti grek tërmetin në Shqipëri

Shqipëria u trondit mëngjesin e 26 nëntorit nga një tërmet prej 6.4 ballësh, nga i cili deri më tani kanë vdekur 49 persona.

Por tri ditë më vonë vëmendja u rikthye te një paralajmërim për lëkundje toke që ishte bërë nga presidenti shqiptar Ilir Meta, bazuar në disa të dhëna të një sizmologu grek, muaj më parë.

Flamur Gashi, këshilltar në kabinetin e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta në Emisionin Jeta në Kosovë këtë enjte, tha se në Presidencën  e Shqipërisë kishte mbërritur një letër me një paralajmërim për tërmet.

“Patëm edhe informacione nga sizmologë ndër më të njohurit në Evropë dhe në botë që Shqipëria është vatër e zonave sizmike dhe mund të ketë lëkundje këtë vit, por siç duket nuk e kemi marr shumë seriozisht dhe nuk kemi qenë as të përgatitur”, tha ai.

Kjo letër kishte bërë që më pas presidenti Meta t’i drejtohej qeverisë dhe institucioneve tjera të sigurisë dhe emergjencave me një shkresë.

“Presidenti i Republikës së Shqipërisë para 7-8 muajsh i ka dërguar një letër konfidenciale kryeministrit të vendit z. Rama, ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Rendit, Shefit të shërbimit informativ dhe drejtorit të Përgjithshëm të Emergjencave Civile për të pyetur se në qoftë se do të kemi një emergjencë, çfarë masa kemi marrë. Për tërmetet [ka qenë fjala] sepse konkretisht ia ka bashkangjitur shkresë edhe letrën të cilën i ka dërguar sizmologu i njohur grek”, tha këshilltari i presidentit shqiptar.

Por sipas Gashit me këtë letër u abuzua nga kryeministri Edi Ramën, me fjalët se Presidenti “po qet fall”.

“Deklarata e tyre ka qenë abuzuese dhe para se të shqyrtohet në institucione kjo shkresë zyrtare e presidentit ata kanë dalë me deklarata se presidenti po qet fall sepse zonja Monika e ka pa filxhanin e të tjera se janë absurde në një rast kur bëhet fjalë për fatet e një kombi”, tha ai mbrëmë në Emisionin Jeta në Kosovë.

Gashi shtoi se Presidenca e Shqipërisë nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga qeveria.

“Pastaj nuk kemi pasur asnjë organizim për këtë punë, asnjë përgjigje zyrtare në institucionin e Presidencës, kemi pas tërmetin e dytë që ndodhi në Korçë, pas rreth më pak se një muaj dhe kemi këtë tërmetin e datës 26 nëntor”, tha ai.

Gashi ka shtuar se fatkeqësisht letra është nxjerrë në opinion publik edhe pse të tillat janë konfidenciale dhe nuk mund të publikohen për të mos përhapur panik.

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në korrik të këtij viti kishte ironizuar me letrën e  presidentit Ilir Meta.

“Tërmetin ai e ka shumë të thjeshtë, nxjerr një dekret dhe e shtyn”, u ishte përgjigjur Rama pyetjes së gazetarëve lidhur me këtë çështje, sipas një video të RTV Ora në Shqipëri.

Në anën tjetër, në letrën e Metës dërguar zyrtarëve qeveritar për të cilën u raportua në mediat vendase në korrik të këtij viti, thuhej se sizmologu Akis Tselentis, njëherësh drejtor i Institutit Gjeodinamik Obsarvatori Kombëtar i Athinës, ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës.

“Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballaknin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës. Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore”, thuhej në këtë letër.

Presidenti ndër të tjerash kishte kërkuar të dijë nëse institucionet kanë kontaktuar  me sizmologun grek dhe se cilat janë kapacitet e vendit për të përballuar një gjendje të tillë.

Meta madje kishte shprehur gatishmëri të  mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare nëse kjo do të ishte e domosdoshme.

Me gjithë përplasjet politike tash e sa kohë, tërmeti tragjik i së martës bëri bashkë në një vend presidentin Meta dhe kryeministrin Rama, në homazhet në Vlorë me 28 nëntor.

Foto: Top Channel