Rrëfimi i vullnetarit për kërkim-shpëtimin e 2-vjeçarit nga Malisheva

Astrit Kryeziu është njëri prej personave vullnetar që sot në Malishevë e gjetën djaloshin 2-vjeçar, që kishte humbur dje pasdite.

Kryeziu në një bisedë për KALLXO.com ka treguar se si e ka gjetur djaloshin.

“Ne bashkë me vëllaun, Zenun Kryeziu dhe dy kushërinj, Valdet Kryeziu dhe Shkelzen Kryeziu, kemi qenë duke e kërkuar fëmijën.  Unë dhe Valdeti kemi dëgjuar një zë fëmiju duke thirrur: Mam, mam”, thotë ai.

Ai tutje tregon se pas kësaj kanë thirrur edhe një grup tjetër të njerëzve për ndihmë.

“Pastaj kemi thirrur edhe një grup të njerëzve të  tjerë që ishin ulur me pushu edhe kemi hyrë në atë vendin, ku dëgjuam zërin e fëmijut edhe pastaj njëri nga djemtë aty e pa atë”, rrëfen Kryeziu.

Kryeziu thotë se pas kësaj ia kanë dorëzuar fëmijën prindit të tij.

“Më pas erdhi një djalë dhe tha se është prindi i tij dhe shumë mirë që deshti zoti dhe e gjetëm djalin”, thotë ai për KALLXO.com.

Dy vjeçari nga fshati Tërpezë të Malishevës ishte zhdukur dje pasdite dhe sot në kërkim të tij ishte vënë Policia e Kosovës, FSK-ja si dhe shume qytetarë vullnetarë.

Ai u gjet sot rreth orës 12:00 në afërsi të shtëpisë së tij, e më pas ka pranuar tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.

Policia – 2 vjeçari nga Malisheva u gjet 600 metra larg shtëpisë