Rrëfimi i Tom Kaqinarit që luftoi në Kroaci e Kosovë

Në 25-vjetorin e sakrificës së Jasharëve në Prekaz, në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për kontributin e diasporës në luftën e Kosovës.

Tom Kaqinari, kryetar i Bashkësisë së shoqatave vullnetare të luftës në Kroaci, ka rrëfyer se si iu bashkua luftës së Kroacisë në mënyrë vullnetare.

Ai ka thënë se drejtësia e shtyri atë të behet pjesë e kësaj lufte.

“Meqë jetoja në Kroaci u bëra pjesë e luftës por kam thënë disa herë edhe nëse baba jem, baba Zef, me pasë kanë në anën tjetër, kisha luftu kundër tij, se e kam ditë që isha në anën e drejtë. Në kohën e Jugosllavisë, aty kurrfarë e padrejte serbëve s’ju ka ba. S’kanë mujtë me thanë që kanë qenë të diskriminuar” – ka thënë Kaqinari.

Ai ka shtuar se në luftën e Kroacisë kundër Serbisë kanë luftuar edhe mbi 30 mijë serbë, përderisa ka thënë që brenda një nate janë formuar 10 brigada të ushtarëve të Kroacisë.

“33 mijë serbë kanë luftuar në Gardën kroate kundër Serbisë, rreth 3 mijë shqiptarë kemi luftuar si vullnetarë për Kroacinë, prej tyre, 87 janë dëshmorë, 37 janë të zhdukur, 250 invalidë të luftës” – ka thënë më tej ai.