Enver Dugolli, ish-i burgosur politik që i mbijetoi Masakrës së Dubravës

Rrëfimi i të mbijetuarit Enver Dugolli në 23-vjetorin e Masakrës së Dubravës

Lëvizja Vetëvendosje ka përkujtuar masakrën e Dubravës që u krye para 23 vitesh.

Ish-i burgosuri politik që i mbijetoi Masakrës së Dubravës, tash deputet i LVV-së, Enver Dugolli, në një konferencë për media ka rrëfyer përjetimet e asaj kohe.

Sipas tij, nga mesi i muajit prill deri në fund të muajit maj 1998 është zbrazur Burgu i Dubravës me të burgosur shqiptarë për vepra penale politike dhe ordinere.

Sipas Dugollit, të arrestuarit ishin transferuar nëpër Serbi nën arsyetimin se në Kosovë nuk kishte siguri.

“Na dërgojnë gjithandej nëpër Serbi me arsyetimin nga ministria e Serbisë se në Kosovë nuk kishte siguri. Njeriu që kishte nënshkruar këtë dokument për transferim të burgosurve nëpër Serbi gjithandej ishte ministri i Drejtësisë së atë hershme Dragoljub Jankovic. Kështu burgu i Dubravës për një vit shndërrohet në bazën më të fuqishme të policisë speciale serbe”, tha Dugolli.

Deputeti ka shtuar se një vit më vonë në Kosovë nuk kishte siguri fare, ndërsa kishte filluar edhe grumbullimi i pengjeve shqiptare të rikthyer nga burgjet e Serbisë dhe burgjet e Kosovës.

“Përzgjedhja, transferimi dhe sistematizimi ynë në pavijonet e Burgut të Dubravës u bë në funksion të një plani mirë të përgatitur të kryerjes së një nga krimet më të shëmtuara në kuadër të zbatimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, vrasje masive e pengjeve të luftës”, tha ai.

Dugolli ka përmendur edhe zhdukjen misterioze të profesorit Ukshin Hoti.

“Më 16 maj në mënyrë misterioze nxirret nga Burgu i Dubravës profesori Ukshin Hoti duke u zhdukur çdo gjurmë e tij, ndërsa më 19 maj aeroplanët e NATO-s bombarduan caqet policore ushtarake serbe që ndodheshin jashtë mureve të Burgut të Dubravës”, tha ai.

Ai ka përkujtuar vrasjet që ndodhën më 22 dhe 23 maj. Sipas tij në këto data u bë ekzekutimi masiv me qëllim të shkatërrimit të shqiptarëve të burgosur.

“Nga 995 të burgosur shqiptar vriten ekzekutohet e masakrohen mbi 120 persona dhe plagosen 185 persona. Sot edhe pas 23 viteve neve të mbietuarve ende na shfaqen para sysh skenat e lahtarshme të vrasjeve. Edhe pas 23 vite ne nuk kemi harru breshëritë e plumbave dhe bombave që coptonin trupat e vëllezërve tanë”, theksoi Dugolli.

Ai tha se nuk do t’i harrojnë përgjegjësitë e ekzekutorët e krimit, të cilët sipas tij i kishin vënë maskat në fytyrë për të mos u dalluar.

Masakra në Burgun e Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.

Kjo ishte njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Atë kohë brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ditë më parë është transmetuar rrëfimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Bedri Kukalaj, i mbijetuar i masakrës në Burgun e Dubravës.