Foto: KALLXO.com

Rrëfimi i të akuzuarit: Vrasja e Abedin Bytyqit ishte planifikuar nga gruaja e tij

“E tërë vrasja e Abedin Bytyqit ka qenë e planifikuar një muaj e shtatë ditë para ditës kritike nga gruaja e tij, Resmije Bytyqi, bashkë me familjarët e saj”.

Kështu e filloi rrëfimin e tij i akuzuari Murat Ademi rreth rastit të vrasjes së Abedin Bytyqit, vrasje që ka ndodhur në fshatin Peqan të Suharekës në vitin 2016.

Gjatë deklarimit të tij, Murat Ademi dha disa detaje të cilat nuk i kishte përmendur asnjëherë më parë.

Sipas versionit të Murat Ademit, e gjithë ngjarja kishte filluar pasi Resmije Bytyqi kishte kërkuar ndihmë nga ai që ta vrasë burrin e saj, Abedinin.

Sipas tij, Resmije Bytyqi ishte këmbëngulëse se dëshironte të vriste burrin e saj ngase i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike, psikike e maltretime të tjera.

Tutje, i akuzuari tha se Resmije Bytyqi kishte kërkuar drejtpërdrejt që Fadil Fetiu ta kryejë këtë vrasje dhe si shpërblim Fetiut i janë premtuar rreth 30-35 mijë euro nëse do ta kryente në mënyrë të qetë vrasjen.

Pas kësaj, sipas të akuzuarit, Fadil Fetiu kishte pranuar ofertën dhe e kishte përcjellë Abedin Bytyqin për 1 muaj e 7 ditë me qëllim që të gjente momentin e duhur për ta vrarë. Ai madje kishte pasur edhe armën të cilën ia kishte blerë vetë Ademi me paratë e dhëna nga Resmije Bytyqi.

Mirëpo, meqë nuk kishte arritur që ta kryente vrasjen, Fetiu e kishte ftuar të ndjerin që të punojë si mjeshtër rryme në shtëpinë e tij në fshatin Peqan.

“Fadili disa ditë e ka përcjellë Abedinin dhe pasi ka rënë në kontakt me të ai i ka propozuar të ndjerit që të punojë si mjeshtër rryme në shtëpinë e tij. I ndjeri ka shkuar për të punuar aty, por ai ra në kurth”, tha ai.

E në shtëpinë e Fadil Fetiut, sipas të akuzuarit, Abedin Bytyqi gjeti vdekjen nga mungesa e frymëmarrjes.

“I ndjeri ka vdekur në mungesë të frymëmarrjes, ka pasur duart e këmbët e lidhura. Nga Fadil Fetiu i është lidhur goja dhe hunda me një izolir të gjerë dhe Fadili nuk e ka pa që ia ka mbyllur edhe hundën. Në këtë mënyrë, Abedini ka vdekur nga mungesa e frymëmarrjes”, rrëfeu Murat Ademi.

I akuzuari sqaroi se Fadil Fetiu nuk ka pasur për qëllim që ta vriste të ndjerin në shtëpinë e tij por që vrasjen ta kryejë me armë zjarri diku më larg.

Tutje, ai pranoi se e ka ndihmuar Fadil Fetiun që ta largojë kufomën rreth orës 12:00 – 13:30 duke e vendosur në makinën e tij për ta dërguar në mal, aty ku edhe është gjetur trupi  i viktimës.

Mirëpo, sipas tij, me qëllim që t’i fshehin gjurmët, ata kanë marrë rreth 2 litra benzinë dhe kanë dashur t’i djegin vetëm rrobat e të ndjerit dhe jo kufomën.

“Unë kam dorë në këtë vrasje dhe e ndiej veten fajtor për veprimet që kam bërë ngase kam ndihmuar Fadil Fetiun në ditën kritike, por kam qenë vetëm korrier i atij dhe Resmije Bytyqit”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, Murat Ademi i mohoi deklaratat e dhëna më parë në Prokurori duke i konsideruar ato të rrejshme.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar nesër.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Motivi i krimit, sipas Prokurorisë, ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Aktakuza i ngarkon edhe Fadil Fetiun për ndihmë në vrasje, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës, dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.

Sipas Prokurorisë, më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrisnin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019, Gjykata e Prizrenit kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.

Kështu, të akuzuarit Murat Ademi, për shkak se në bashkëkryerje mizorisht ka vrarë Abedin Bytyqin, Gjykata i shqiptoi 25 vite burgim, të akuzuarës Resmije Bytyqi për shtytje të vrasjes së bashkëshortit Gjykata e dënoi me 20 vite burgim, e i akuzuari Fadil Fetiu për ndihmë në kryerjen e vrasjes u dënua me 12 vite burgim.

Kurse, i akuzuari Reshat Ademi ishte liruar nga akuza.

Mirëpo, vendimi i Gjykatës së Prizrenit nuk e kishte marrë aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim apo në pikën zero.

Rigjykim për vrasjen e rëndë në Suharekë, gruaja akuzohet se porositi vrasjen e burrit

KALLXO.com ekskluzivisht ka sjellë raporte nga të gjitha seancat dhe rrëfimet e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe rrjedhën e gjykimit për vrasjen e rëndë të ndodhur në vitin 2016.