Rrëfimi i shkrimtares Majlinda Bregasi

Majlinda Bregasi, shkrimtare dhe profesoreshë e gjuhës italiane dhe latine në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, ka folur për rëndësinë e leximit të librave, në kohën e internetit dhe shkrimeve të shkurtra në rrjetet sociale.

Sipas shkrimtares, shkrimet e shkurtra të internetit shkaktojnë lodhje.

“Shkrimet e shkurtra në internet të lodhin. Janë vetëm për pak minuta. Nuk besoj që ka njerëz që mund të rrijnë edhe shumë gjatë në këto gjerat e shkurtra, njeriu ka nevojë pak edhe të ndalet dhe të mendojë, të thellohet pak, e të mësojë pak sepse nuk na gjen asgjë e keqe nga të mësuarit”, tha ajo.

“Nëse duam ta njohim veten nuk mund ta njohim më mirë sesa duke lexuar gjërat që shkruajnë të tjerët, që tek e fundit janë jeta e të tjerëve që ne nuk kemi mundësi që ta jetojmë”, shtoi Bregasi.

Shkrimtarja ka shtuar se leximi është mënyrë për t’u rritur brenda vetes.

“Jetojmë në një botë insta, tejet sipërfaqësore që çdo gjë vlen një fotografi, një video, a një stori dhe mbaroi puna, por edhe gjithë ajo lumturi, ai gëzim që t’i jep ai numri i shikuesve, i pëlqimeve, secili nga ne harron për 5 minuta”, theksoi ajo.

Majlinda Bregasi jeton mes Kosovës dhe Italisë.

Ajo është lindur dhe rritur në Shqipëri, por të gjithë karrierën e ka zhvilluar në Kosovë, që nga viti 1995.