Rrëfimi i Qemajl Mustafës se si PDK-ja “ia mbylli derën” dhe e pengoi garën e tij me Lutfi Hazirin më 2013

Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit nga PDK-ja, Qemajl Mustafa, në një intervistë në “Debat Përnime” ka folur rreth angazhimeve të tij në vitet e fundit, zhvillimeve në PDK, duke rrëfyer prapaskenat e ngjarjeve në degën e kësaj partie në Gjilan.

Ai ka thënë se vitet e fundit i është përkushtuar familjes, duke mos mbajtur asnjë post publik.

“Jam angazhuar kryesisht rreth familjes, meqenëse mbeta marzhinave të PDK-së prej vitit 2014 e këndej dhe nuk isha më aktiv edhe në degë sepse atje shkoi dikush tjetër. Jam marrë me sektorin privat, me punët e mia, nuk kam pasur ndonjë kontratë publike”, tha ai.

Mustafa shtoi se “PDK-ja ia ka mbyllur derën”, duke iu referuar lidershipit të lartë të kësaj partie.

“U krijuan ashtu rrethanat sepse shpesh dikush s’ta mshelë derën kështu në mënyrë eksplicite. Bile ndonjëherë unë them që më mirë është me e pasë mungesën aty, mos me pasë prezencën sepse bën hajr dhe i liron energjitë atje, ashtu kam menduar. Për fat të keq [PDK në Gjilan i ka 9 për qind të votave]. Lidershipi i atëhershëm [e ka mbyllur derën]. Unë atë mesazh e mora herët, që isha i padëshirueshëm mjaftueshëm në degë në Gjilan dhe në parti”, theksoi ai.

Ish-kryetari i Gjilanit ka rrëfyer edhe zhvillimet brenda PDK-së në vitin 2013 kur ai ishte në garë për kryetar Komune.

Ai tha se ishte vonuar për debatin “Jeta në Komunë” atëbotë për shkak të aktiviteteve në PDK dhe se ish-kryetari i PDK-së dhe kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi i kishte thënë “Hajt se presin pak ata”.

Mustafa ka shtuar se në atë kohë e kishte kuptuar se “PDK-ja në Gjilan po kandidonte me të dhe Lutfi Hazirin (LDK)”.

“Kjo nuk ishte pjesa shumë e rëndësishme për mua, po pyetja e parë që e keni bërë kandidatëve [drejtuar Jeta Xharrës], dhe më kujtohet se Lutfi Hazirit njërën prej pyetjeve të parë që ia keni bërë ka qenë ‘po flitet shume që, nuk po e dinë ata a je më shumë kandidat i LDK-së për kryetar apo i PDK-së? Bile i ke thënë i ShIK-ut. Aty pak unë e mora njëfarë goditje dhe nisa me menu çka është kjo punë. Ai [Lutfi Haziri] pat thënë se “shokë i kam ata, shokë i kam këta”, por pat hyrë llugave duke thënë se ‘këta të ShIK-ut unë e di se çfarë bëjnë, çfarë kanë bërë dhe çfarë mundem me bë”, tha ai.

Kësisoj, Mustafa shtoi se pas shumë muajve një koleg i tij i ka thënë se “e ka ditur që në Gjilan PDK-ja po kandidonte me dy kandidatë, me të dhe Lutfi Hazirin”.

Ish-kryetari i Degës së PDK-së në Gjilan shtoi se kjo parti e theu rëndë këtë degë.

“Në ndërkohë dega nuk u kthjell, e imponuan një kryetar dege. Dihet kush është, është kronologjia komplet atje. Ai muk mundi ta kthjellë degën, pastaj u ndërrua edhe ai. Pas pesë vitesh më 2019, më thirri lideri i atëhershëm Kadri Veseli dhe më tha ‘po të lypin këta në Gjilan’ sepse degën nuk po mund ta kthjellin. Kjo ka ndodhë më 2019 në zgjedhjet e partisë”, tha ai duke shtuar se nga 2014 kur edhe ai s’ka qenë më aktiv në degën e PDK-së, dega është mbyllur “me ardhjen e Lutfi Hazirit”.

Në emisionin “Debat Përnime” po transmetohet intervista me ish-kryetarin e Gjilanit nga PDK-ja, Qemajl Mustafa, e më pas transmetohet intervista me ish-nënkryetarin e kësaj Komune, Rexhep Kadriu.

Dy ish-figurat udhëheqëse politike në këtë komunë flasin për garën e balotazhit që do të mbahet në Gjilan më 14 nëntor.

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni do të përballet në balotazh me kundërkandidatin e tij, kryetarin aktual të Gjilanit, Lutfi Hazirin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve në Gjilan, kandidati i LVV-së, Alban Hyseni ka siguruar 44,71 për qind te votave, kurse kandidati Lutfi Haziri nga LDK ka marrë 43,51 për qind.