Rrëfimi i policit për rastin e Agon Musliut, i cili vdiq në Qendrën e Studentëve në Karantinë

Arben Haradinaj, polic në Policinë e Kosovës ka raportuar sot në Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë për rastin e qytetarit Agon Musliu.

26 vjeçari nga Gjilani Agon Musliu, vdiq në muajin maj pasi dyshohet se ra nga një lartësi prej katit të pestë të konviktit numër 7 në Qendrën e Studentëve, e cila me vendim të Qeverisë po përdorej si karantinë për personat e ardhur nga vendet e jashtme.

Haradinaj ka treguar për kontaktin e parë me Naim Musliun, babain e të ndjerit Agon Musliu.

Sipas policit Haradinaj, i vetmi kontakt me të Agon Musliun ka qenë momenti kur ka dashur të ia përcjell një letër si porosi nga babai i tij.

“Ne kemi qenë atë ditë në Aeroport, në pjesën ku ndaheshin qytetarët që vinin nga jashtë se a do të shkojnë në karantinë apo në shtëpi. Unë atë ditë e kam shoqëruar një plakë dhe aty një person më ka pyetur ‘Polic a bën me të pyet diçka’, normal i kam thënë që bën. Personi më ka thënë që a bën me marrë këtë letër edhe me përcjell të djali që është duke ardhur prej Gjermanie. I thash në rregull do ta marr këtë letër dhe do të ia jap një personi tjetër që do ta përcjell te djali yt. Këto kanë qenë sendet fillestare”, tha ai.

“E kam marr letrën dhe kam shkuar te personi që ka qenë përgjegjës që e bënte listën se kush shkon në shtëpi e kush në karantinë. E kemi këqyrë emrin dhe e kemi parë që djali e ka kry kontrollën mjekësore dhe iu ka dhanë për me shku në karantinë”, tregoi policia Haradinaj.

Tutje ai tha se: “Kam prit dhe më kujtohet që ai djali ka ardh me një valixhe dhe i kam thënë i nderum këtë letër prindi yt më ka thënë me ta dhanë ty. E ka këqyrë edhe më ka thanë që ‘kjo letër mua nuk më duhet’ edhe ma ka tregu letrën që ia kanë dhanë për me dërgu në karantinë. Më pas ai më ka thënë që ‘këtë letër ktheja babit sepse jam në kontakt me prindin non-stop’. Jam kthy e ia kam dhanë letrën. Pastaj më ka pyet se ku është karantina dhe i kam tregu që është te Menza e Studentëve”, ka deklaruar Haradinaj, polic në PK.

Polici ka treguar edhe për gjendjen e të ndjerit në momentin kur ai ka kontaktuar me të.

“Ai nuk ka pasur ndonjë sjellje, ka qenë shumë i butë e shumë i mirë, i qetë”, ka treguar polici duke shtuar se i ndjeri Musliu ka pasur informacione rreth letrës dhe me vetëdije ka shkuar në karantinë.

Të gjitha raportimet për këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.