Rrëfimi i plakut të prekur nga coronavirusi "po më teret fyti"
Një reportazh ekskluziv i KALLXO.com ka shfaqur pamjet nga brenda Klinikës Infektive ku po trajtohen pacientët me COVID.
Kamera ka ndjekur mjekët gjatë kontrollit dhe bisedave me pacientët gjatë vizitave të mëngjesit.
Kontrollet që nisin nga ora 7 e mëngjesit kryhen në të gjitha dhomat ku janë duke u shëruar mbi 50 pacientë të prekur nga virusi ndërsa diskutimet janë të ndryshme.
Në materiale shihet njëri nga pacientët e hospitalizuar i cili i tregon mjekut për ‘problemet’.
“Këtë herë e kam pas pak tensionin e ngritur. Nuk po më dhemb fyti, po po më thahet”, thotë njëri nga pacientët në Klinikën Infektive.
Kurse një paciente tjetër thotë se ka problem me gjuhën.
“Po më djeg fyti ngapak dhe gjuha pak si e terun dhe po më ‘ngjitet’, thotë ajo.
Doktori Salih Ahmeti në një rrëfim për KALLXO.com ka treguar se si ka motivuar pacientët.
“Sidomos një pacient kur ka vështirësi bën ‘luftë’ për me u ngi me frymë dhe mendon për mundësinë e përfundimit të keq të sëmundjes, krahas përkujdesjes, duhet edhe motivim, inkurajim i pacientit dhe është shumë me rëndësi besueshmëria e pacientit ndaj mjekut”, thotë Ahmeti.
Doktori që është pjesë e Klinikës Infektive që gati 40 vite që nga viti 1983, tregon se komunikimet me familjarët e tij i ka bërë përmes telefonit.
“E kam pasë një dhomë, që e ka pasë afër një tualet dhe me asnjë anëtarë të familjes nuk kam kontaktuar nga afër deri para 2 jave. Kam diskutuar me telefon. Bukën ma kanë sjellë në dhomë”, rrëfen doktori Ahmeti.
Në këtë reportazh mund të shihni mbledhjen e mëngjesit të stafit të Klinikës Infektive të cilët flasin për planet e ditës, gjendjen e pacientëve dhe marrjen e detyrave të ditës.