Rrëfimi i pacientit të shëruar nga Coronavirusi: Pak i vlerësojmë të mirat që i kemi

Kroacia njoftoi të enjten për shërimin e një pacienti nga coronavirusi. I riu që ishte diagnostikuar me coronavirus më 26 shkurt, është lëshuar nga Klinika e Sëmundjeve Infektive.

Shërohet pacienti me coronavirus në Kroaci

Në një intervistë për Jutarjni.hr, pacienti që ishte personi i dytë i infektuar në Kroaci ka rrëfyer përjetimin e tij, ku qëndroi për dy javë i mbyllur me vëllain e tij, i cili ishte personi i parë i infektuar me coronavirus në Kroaci.

FOTO – Në anën e majtë fotografia e parë pas daljes nga karantina, në anën e djathtë fotografia e parë në shtëpi  duke përcjellë ngjarjet.

Në karantinën e klinikës “Dr. Franje Tuudjman” në të cilën qëndruan dy vëllezërit (personat e parë të infektuar me coronavirus në Kroaci) në katin e dytë në dhomën numër 4, ndizet një dritë e kuqe te dera, kjo si shenjë thirrje për t`u afruar te dera me të cilën pacienti po komunikon tash e 17 ditë me mjekët dhe infermierët.

“Që të tre keni rezultuar negativ në të gjitha testet“, i kumton lajmin doktori të riut të infektuar, duke aluduar edhe për vëllain e tij dhe një vajze, e cila kishte rezultuar pozitive në virusin që ka prekur botën.

Për pacientin e parë dhe të dashurën e tij në rezultatin e parë kishin rezultuar negativ, ndërsa për vëllain e dytë që iu kumtua lajmi se është shëruar dy testet kanë rezultuar si negativ.

“Po unë jam personi i parë në Kroaci që jam liruar nga Spitali për në shtëpi“, thotë për Jutarjni.hr, i riu që përmes telefonit flet nga banesa e tij në Zagreb.

10 Ditë në Izolim.

Mjekët i kanë këshillua që edhe për 10 ditët e ardhshme të qëndron i izoluar për masa preventive.

“Sipas disa hulumtimeve thuhet se deri në 25 ditë mund të zgjasë infeksioni, prandaj edhe 10 ditët e ardhshme do të qëndroj në banesë për masa parandaluese, sipas këshillave të mjekëve“, tha i riu.

Rreth orës 15:00 pasdite mjeku i ka komunikuar lajmin se është shëruar, dhe e ka pyetur se a dëshiron të pret vëllain e tij që të shkojnë së bashku në shtëpi.

“Unë i thash që nëse është e mundur të largohesha. Në fund të fundit edhe vëllai im ka rezultuar negativ, dhe në ditët e ardhshme presim që të kthehet në shtëpi. Gjithashtu shumë gjatë kemi qëndruar së bashku të mbyllur, dhe dëshiroj që pak të pushoj nga vëllai im“, thotë me buzëqeshje i riu.

I riu thotë se ka qenë ndjenjë e pa përshkruar. Thotë se këto ndjenja gëzimi i ka pasur vetëm kur kishte diplomuar rreth gjysmë viti më parë.

Në ora 17 : 00 para spitalit e ka pritur nëna e tij.

“Ai hapi i parë kur del i lirë, është e papërshkrueshme. Nuk e keni idenë se sa pak i vlerësojmë të mirat që i kemi“, thotë i riu kroat.

Nga Spitali ka dalë vetëm me një letër – lëshim duke mos marrë me vete asgjë që kishte poseduar sa ishte i izoluar.

“Gjithçka që kam përdorur ka mbetur brenda ku do të dezinfektohen gjësendet e përdorshme, por edhe shumë gjëra i kam hedhur, ndërsa telefonin tim personal e kam pastruar mirë me alkool medicinal, nuk më duhen gjësendet tjera“, vazhdon rrëfimin e tij duke treguar se edhe 10 ditët e ardhshme do të qëndrojë në izolim shtëpiak.

“Është e pabesueshme sa shpejt kanë kaluar ditët e qëndrimit tim brenda, tashmë kam ndjenjën sikurse nuk kam qenë fare atje i mbyllur“, tregon i riu i shëruar.

Tashmë shumicën e kohës e kalon në dhomën pranë televizorit duke përcjellë situatën e krijuar, ndërsa vazhdon ende të mbajë maskë mbrojtëse, dhe vazhdon të ndjek udhëzimet e mjekëve që të ketë kujdes në përdorimin e pajisjeve shtëpiake.

E gjithë kjo situatë tek i riu erdhi shumë papritur. Coronavirusi ende nuk ishte shfaqur në Kroaci. Ditën e premte të datës 21 shkurt, vëllai i tij ishte kthyer nga Italia ku kishte qëndruar disa ditë me të dashurën e tij.

Vikendi i datës 22 dhe 23 shkurt në Kroaci ishte ende situatë e qetë. Të hënën shok dhe befasi. Vëllai i tij ishte i pari person pozitiv në coronavirus. Një ditë më vonë edhe për të riun e shëruar dolën rezultatet pozitive.

Nën masa të rrepta sigurie me datë 25 shkurt që të dy u dërguan në Kliniken Infektive, dhe që nga ajo ditë nuk kishin parë fytyrë njeriu të pambuluar nga maska, dhe nuk iu ishte afruar askush pa masa mbrojtëse, veshje dhe maska.

“Sa i përket rrjedhës së sëmundjes kështu qëndron situata, unë në Spital erdha me temperaturë 37,4, dhe kjo ishte simptoma e vetme që kisha atë ditë“, thotë i riu, duke vazhduar historinë e karantinës, “ndërsa gjatë dy ditëve të ardhshme temperatura u rrit në 38,5, dhe filluan të më shfaqeshin simptomat si kollitje ethe dhe dhimbje të muskujve, dhe fillova të kem ndjenjën e lodhjes”.

“Këto simptoma i kam pasur për gjashtë ditë me radhë, ndërsa më pastaj këto simptoma ndaluan. Ndërsa në ditët në vazhdim kam ndier vetëm lodhje, por nuk e di se kjo a ka qenë si pasojë e simptomave dhe sëmundjes apo si pasojë se vazhdonim të qëndronim të mbyllur“, thotë ai.

Ditët e fundit të qëndrimin në karantinë i riu thotë se është ndier plotësisht i shëndetshëm, ndërsa sa i përket rrjedhës së sëmundjes thotë se ishte e njëjtë me vëllain e tij, shfaqnin simptoma të njëjta. Hera e parë që u testuan se a kishin përmirësime ishte data 2 dhe 6 mars, teksa vazhduan të rezultojnë pozitiv.

Por pastaj filluan të dalin rezultatet e para pozitive.

“Ishte data 9 mars. Kisha një ndjenjë të papërshkrueshme, por vëllai im rezultonte ende pozitiv, prandaj nuk u gëzova plotësisht“, vazhdon tregimin e tij.

 

Por si dukej jeta në karantinë?

“Dy ditët e para ishin jashtëzakonisht të mërzitshme, por më vonë u mësuam. Nuk di si ta përshkruaj, ju thjesht pajtoheni me situatën dhe kjo bëhet jeta e juaj në ditët e ardhshme. Kështu që unë dhe vëllai u mësuam, do të jemi së bashku në një dhomë për 24 orët e ardhme, dhe kështu me radhë kalojnë ditët“, thotë ai.

Ata zgjoheshin në ora 08:00 e mëngjesit, i zgjonin mjekët të cilët i kontrollonin funksionet vitale jetësore, temperaturën dhe gjendjen e përgjithshme pastaj merrnin për të ngrënë mëngjesin.

“Pastaj prapë shtriheshim, nuk ishte se kishim mundësinë të dilnim për kafen e mëngjesit“, thotë me buzëqeshje duke treguar se në 12 orët e ardhshme vazhdonin të shikonin lajmet dhe ngjarje që po ndodhnin në Kroaci dhe në mbarë botën.

Gjatë gjithë kohës dy vëllezërit e izoluar në karantinë kanë përcjellur lajmet, ndërsa mbrëmjen e  kalonin duke shikuar ngjarjet sportive.

“Futboll, dhe të gjitha sportet, nuk kishim çfarë të zgjedhim, pranonim gjithçka që të kalonte koha“, thotë i riu.

Një pjesë të madhe të ditës e kalonin duke pastruar dhomën.

“Nuk mund të besoni se sa pluhur mblidhet për një kohë të shkurtër, por ndonjëherë edhe pastronim vetëm për të kaluar kohën. Unë kurrë në jetën time nuk kam pastruar banjot aq shpesh, por besoni që dy orë kalojnë shumë shpejt kur jeni duke pastruar“, vazhdon i buzëqeshur të rrëfej për ditët e kaluara në izolim.

Në kohën kur dy vëllezërit e infektuar u mbyllën në karantinë situata në përgjithësi ishte shumë më e mirë, nga ajo që është sot. Shtetet po mbyllin kufijtë, po ndalohen tubimet publike, po mbyllen shkollat ndërsa po rritet me shpejtësi numri i të infektuarve dhe i të vdekurve nga coronavirusi.

“Kur filluan lajmet për rastet në Itali dhe në vendet përreth Kroacisë, atëherë gjithçka bëhet më reale dhe më e frikshme sesa kur ishte në pyetje Kina. Pastaj filluam të lexonim për numrin e të vdekurve, ndërsa ne qëndrim të izoluar në Spital sepse ishim pozitiv me të njëjtin virus, më duhet ta pranoj që është e frikshme dhe ndjenjë që vështirë mund të përshkruhet“, tregon përjetimet e tij brenda izolimit, duke falënderuar mjekët për mundim dhe përpjekjet e tyre.

I pyetur se tash a e ka fituar imunitetin dhe a e ndjen vetën të rrezikuar, i njëjti tha se kjo nuk dihet: “Këtë askush nuk e di me siguri, ka kaluar pak kohë dhe duhet të presim edhe disa ditë, por natyrisht shpresoj se nuk do të rrezikohem prapë sepse njëherë ka qenë e mjaftueshme, madje edhe shumë“, përfundon ai.

Në fund edhe në emër të vëllait të tij i falënderon të gjithë mjekët infermierët dhe të gjithë stafin mbështetës për gjithçka që ata kanë bërë për 16 ditë.

“Me të vërtetë i jemi falënderues, sepse ndaj nesh janë kujdesur sikurse të ishim fëmijët e tyre“, përfundon rrëfimin e tij.