Foto: KALLXO.com

Rrëfimi i pacientit me COVID: Jemi të kënaqur me trajtimin në Infektivë por jo edhe në Neurologji

Babai 61 vjeçar i M. R. është i infektuar me coronavirus dhe po trajtohet në Klinikën Infektive të QKUK-së.

M. R. thotë se janë shumë të kënaqur me trajtimin që mantelbardhët po ua bëjnë pacientëve në këtë klinikë, pas transferimit të tij nga ajo e Neurologjisë.

Sipas qytetarit, në Neurologji babait të tij nuk i është dhënë terapia ashtu siç duhet.

“Tash e 14 ditë babi është i shtrirë në Infektivë, katër ditë ka qenë i shtrirë në Neurologji, por atje nuk e kanë këqyrë qysh duhet dhe gjendja filloi me iu përkeqësu. Këtu në Infektivë po e këqyrin shumë mirë”, rrëfeu ai për KALLXO.com.

Shqetësim për M. R. ka filluar të bëhet blerja e infuzioneve dhe barnave të tjera që i nevojiten mjekëve për trajtimin e babait të tij.

Ai tha se tash e 10 ditë ka mungesë të infuzioneve dhe barnave të cilat po detyrohen të i blejnë vet.

“Deri para 10 ditë nuk kam ble as barna as kurrgjë, po tash e 10 ditë kam ble se më kanë thanë që këtu nuk ka”, rrëfen tutje M. R.

Ai tregoi se njëri nga infuzionet që e ka blerë për babain e tij ditë më parë ka kushtuar 80 centë, ndërsa tani kushton 4 euro.

“Një infuzion që e kam ble ka qenë 80 cent, tash është 4 euro”, tregon ai.

Ai theksoi se gjendja e babit tij është e mirë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me neurologen Shpresa Beqiri, e cila e kundërshton deklaratën e M. R.

Ajo tha se në këtë klinikë të gjithë pacientët i trajtojnë mirë, dhe se nuk duhet të bëhet krahasim me Infektivën pasi që ajo  është klinikë e ndërtuar për raste të sëmundjeve ngjitëse.

“Krahasimet me klinikën infektive ndoshta nuk ishin dashtë me u bo, për shkak se kushtet në Klinikën Infektive janë tjera ajo është e ndërtuar si klinikë për të trajtuar rastet infektive ndërsa klinika jonë është klinikë neurologjike”, tha ajo për KALLXO.com.

Tutje ajo potencoi se asnjëherë më parë nuk kanë marrë ndonjë ankesë nga pacientët.

Përveç Infektivës pacientë të infektuar me coronavirus janë duke trajtuar edhe Klinika e Neurologjisë, Pulmologjisë dhe Mjekësisë Sportive.

KALLXO.com një muaj më parë pati raportuar edhe për rrëfimin e qytetarëve në Klinikën e Mjekësisë Sportive ku qytetarët janë ankuar për pritje të gjata dhe informacionet e mangëta nga stafi shëndetësorë.