Rrëfimi i lobuesit për Kosovën: Shpenzova paratë e mija

Bedri Emini nga fshati Llapushnik i Drenasit jeton në Angli. Ai ka një kompani dhe punon me ndërtime.

Por, që nga viti 2018 ai ka marrë edhe një përgjegjësi të re. Ministria e cila udhëhiqet nga Behgjet Pacolli e mandatoi si lobist për njohjet e Kosovës në disa vende të Afrikës.

Në një intervistë për Jeta në Kosovë ai ka shpjeguar procedurat dhe punën që bëhet për sigurimin e njohjeve për shtetësinë e Kosovës nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Bedri Emini është vëllai i Elmi Thaçit, ish-kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit, por e kishte ndërruar mbiemrin kur kishte shkuar në Angli për të jetuar.

“Angola, Kameruni, Nigeria dhe Kongo, unë t’i kryej këto, i kam thënë Pacollit, me një kusht që me ma dhënë një njeri tënd me vete që mos me më lanë vetë sepse po ka shumë shpenzimeve të mëdha”, ka thënë ai për Jeta në Kosovë.

Emini thotë se Pacolli kishte premtuar se të gjitha shpenzimet që do t’i kryhen.

Por, një e gjë e tillë nuk kishte ndodhur, sipas tij.

“Shkova atje, atje, vetë i kam pagu biletat, askush nuk mi ka paguar. Njëherë kam ngrënë mëngjes te Pacolli në Prishtinë më se kam parë”, thotë tutje ai.

Të gjitha vizitat nëpër vendet e Afrikës, ai thotë se i ka bërë me shpenzimet vetanake.

“Unë nuk po mërzitem për shpenzimet e mija, por më e keqja që na ka ndodhur neve që populli i Kosovës nuk e dinë, ne nuk kemi ministër të jashtëm, ai (Pacolli) vetëm thotë që jam i ministër por ai nuk është për kurrgjë hiç”, deklaron Bedri Emini.

“Ai u ka premtuar njerëzve, ka pasur me ua rezervuar biletat, nuk ua ka rezervuar, ka pasur me u taku me njerëz, ai është shkuar për biznes të vetin”, thotë ai.

Ai ka akuzuar Pacollin se nuk i ka paguar shpenzimet për lobim që janë bërë.