Rrëfimi i kallxuesit për diplomacinë e ‘Bacit’ - VIDEO

Bedri Emini, një person nga Llapushniku i Drenasit që merret me ndërtime po pretendon se u premtuan dhe u paguan njohjet për shtetësinë e Kosovës dhe anëtarësim në INTERPOL nga Behgjet Pacolli, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në një intervistë ekskluzive për Jeta në Kosovë, Emini ka zbardhur prapaskenat e përpjekjeve të Kosovës për t`u bërë pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë dhe sigurimin e njohjeve nga disa shtete të Afrikës.

Emini ka rrëfyer se në vitin 2018 u mandatua për të lobuar për Kosovën nga biznesmeni që udhëheq dikasterin e diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli.

Ai thotë se lobimet i bëri por nuk iu përmbushen premtimet nga Pacolli për shpenzimet që bëri.

Bedri Emini është vëllai i Elmi Thaçit, ish-kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit, nga partia Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit. Mbiemrin nga Thaçi në Emini, ai thotë se bëri më vonë për çështje personale.

“Në vitin 2017 e kam njoftë për herë të parë Pacollin. I kam tregu që e kam një njohje të Kongos”, rrëfen ai për Jeta në Kosovë.

Lobisti kosovar pretendon se e njeh ish- presidentin e Kongos, Joseph Kabila.

“Unë i tregova që jam nga Kosova, më tha që unë jetoj në Ferizaj. Ish e martuar me një amerikan në Bonstill, jam kanë një herë i kam vizituar. Ata janë kanë te unë me nejtë në Llapushnik”, thotë tutje ai.

“Më tha, a ke mundësi ti me e pru një ftesë, që na me iu njoftë juve. Tani jam ardhur e kam marrë ftesën te presidenti Pacolli, se president i themi ne Pacollit. E mora ftesën shkova atje. Më 17.02.2017, unë jam hy vetë e kam dorëzuar letrën dhe na kanë pranuar si shtet”, deklaron Bedri Emini.

Ai ka prezantuar edhe një dokument, të cilës i thotë mandat letër për lobim.

Rrëfimi i Bedri Eminit për pagesat e Pacollit dhe Diplomacinë në Afrikë

Rrëfimi i Bedri Eminit për pagesat e Pacollit dhe Diplomacinë në Afrikë

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 17 janvier 2020

Emini ka akuzuar kryediplomatin kosovar se nuk po i kryen punët si duhet. Madje, ai thotë se për disa njohje ka premtuar edhe shuma të mëdha parash.

“Ka folë me të gjithë, me Nigeri ka folë, unë jam kanë aty, ka fol me Huso Adam, i ka premtuar një shumë të parave. Po as që ia ka qelë telefonin më. 200 mijë i ka premtuar Pacolli i kemi me shkrim prej tij”, ka thënë ai përballë Jeta Xharrës.

Tutje, lobisti që jeton në Angli thotë se shteti i Kongos e ka njohur Kosovën, vetëm se Ministria e Punëve të Jashtme nuk po shkon me e marrë letër-njohjen.

Në vitin 2018, Kosova dështoi edhe njëherë për t`u bërë pjesë e INTERPOL-it.

Një delegacion i madh i Kosovës ishte shkruar në Dubai të Emirateve të Bashkuara. Përveç përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, asaj të Jashtme, atje ishte i pranishëm edhe Presidenti, Hashim Thaçi.

Por, sipas Eminit, ai nuk kishte ndonjë rol në lobim. Sipas tij, Thaçi më shumë është parë duke u larë në plazhet e hotelit ku ishin vendosur delegacionet kosovare.

“Hashimi u lajke. Kurrgjë, u lajke gjithë ditën e lume atje, dy herë e tri e kam pa një herë i fola, tungjatjeta a je mirë. Më duket që s’më njofti. Qaty në deti te hoteli, erdhën ata lojtarët Messi e këta, ngajshin pas tyre me bë fotografi, faqja e zezë”, ka thënë ai.

Ndiqeni të plotë emisionin Jeta në Kosovë:

Politika e Jashtme e Kosovës #JetanëKosovë

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 16 janvier 2020