Rrëfimi i ish-ushtarit të UÇK-së: Të burgosurit në burgjet e Serbisë vdisnin nga rrahjet

Ish-ushtari i UÇK-së, Bedri Kukalaj, i cili ishte burgosur nga forcat serbe, thotë se pas hyrjes së NATO-s në Kosovë, të burgosurit shqiptarë nga Lipjani e Dubrava i kanë dërguar në burgun e Pozharevcit.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se aty ka përjetuar masakrën e dytë të Dubravës, ku të burgosurit vdisnin nga rrahja.

“Më 12 qershor 1999 na kanë marrë nga burgjet në Kosovë e na kanë dërguar në Serbi, në Pozharevac, aty e kam parë masakrën e dytë të Dubravës, të burgosurit kanë vdekur nga rrahja”, ka thënë ai.

Kukalaj thotë se një mjek u kishte thënë zyrtarëve në burg se unë nuk bën të rrija aty pasi isha i palëvizshëm.

“Aty një mjek u ka thënë se mua nuk mund të më lënë pasi kam qenë i palëvizshëm. Më kanë dërguar në qendrën më të madhe të të burgosurve në Beograd ku edhe i jam nënshtruar operimit. Operacioni në Beograd ka qenë mirë, aty një mjek nuk i ka leju as policët, mjeku më ka thënë se ai e kryen punën e tij dhe nuk i intereson kush jam”, ka thënë ai.

Por, sipas tij, menjëherë atë ditë, pasi ka kryer operimin, ia kanë hapur plagët nga rrahja kur është dërguar në burg.

“Po atë ditë kur e kam kry operimin, më kanë rrahur prapë në burg edhe më është shkatërruar operimin. Herën e dytë mjeku është mundu të m’i qepte plagët përsëri dhe u ka thënë policëve që më ruanin: “Mos ma sillni më!”, shtoi Kukalaj.

Ai tutje potencoi se në burg në Beograd ka qendruar për 6 muaj pastaj ishte dërguar në një burg në Mitrovicë të Sremit.

Sipas tij, ky ndërrim kishte ndodhur pasi aty ishte sjellë Sllobodan Millosheviqi kur e kanë arrestuar dhe kishte pasur protesta.

“Në burg në Beograd kam qëndru 6 muaj pastaj na kanë sjellë në Mitrovicë të Sremit, për shkak se aty e sollën Millosheviqin dhe nisën protesta”, shtoi ai.

Kukalaj thotë se u lirua në nëntor të vitit 2001 ku më pas ishte dërguar në Zvicër për ndërhyrje në fytyrë, pasi as ushqim nuk ka arritur të hajë nga dëmtimi i nofullës.

“Atje në burgun në Mitrovicë të Sremit kemi qenë 400 shqiptarë, më 29 nëntor të vitit 2001 jam liruar. Në letër më ka shkuar që lirohem për arsye shëndetësore dhe se Serbia nuk ka buxhet të më trajtonte. Një gjerman prej Kryqit në Kuq në Prishtinë kishte ardhur të më merrte”, ka thënë ai.

“Kur kam ardhë në Kosovë janë organizuar edhe më kanë dërgu për trajtim në Zvicër, tri operime në fytyrë i kam pasur, madje dy spitale atje nuk kanë pranuar të më trajtojnë. Kur jam zgjuar nga operimi e kam ndjerë veten shumë mirë. E mbaj mend që ai mjeku nuk ka qenë shumë i kënaqur me punën që kishte bërë, derisa mua më dukej 1 milion për qind sukses”, ka thënë Kukalaj.