Rrëfimi i gruas që raportoi disa herë burrin e saj polic për dhunë në familje

Në emisionin e KALLXO.com po transmetohet një rrëfim ekskluziv i një gruaje e cila është rrahur fizikisht nga burri i saj. Ky i fundit është zyrtar policor.

Në dosjen penale, ai është recidivist i dhunës në familje, ndërsa i njëjti edhe sot është i armatosur me armë zyrtare e mjete të tjera të punës.

Gruaja rrëfen njërën nga rrahjet të cilën e cilëson si më të rëndën e ku pësoi edhe me gjymtyrë të thyera. Frika e saj sot është jetesa afër burrit të saj i cili posedon armën zyrtare e që pretendon se nuk ka gjendje të mirë psikologjike.

Po ashtu në këtë emision do të ndiqni edhe pretendimet e një shtetase franceze për dhunën seksuale nga bashkëshorti.

Trajtimi i rasteve të dhunës ndaj gruas edhe pse të raportuara, kanë hasur në vesh të shurdhër, ndërsa edhe pse e lodhur nga institucionet, kërkon që të vihet drejtësia për gratë të cilat janë viktima të dhunës në familje.

Në emisionin e sotëm, Inspektorati Policor i Kosovës jep detaje për trajtimin e rasteve të dhunës në familje ku të dyshuar janë zyrtarët policor të cilët madje edhe janë suspenduar nën dyshimet se kanë rrahur gratë apo familjarët e tyre.

Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj do të tregoj se cilat masa u ndërmorën për rastin e zyrtarit policor nga Gjilani i cili përveç që kishte ushtruar dhunë ndaj gruas së tij e kishte dëbuar këtë të fundit nga shtëpia.

Rrjeti i Grave të Kosovës me aksione të shumta ka dënuar dhunën fizike dhe trajtimin e këtyre rasteve nga ana e institucioneve të drejtësisë.

Adelina Berisha tregon se ku po ngec sistemi i drejtësisë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje ku viktimat janë gratë e vajzat.

Po ashtu do të transmetohet edhe një intervistë e realizuar në gusht të këtij viti me Major Ramadan Ahmeti i cili do të shpjegoj rolin dhe qëllimin e policisë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje si dhe mënyrën se si ndikojnë në integritetin e policisë rastet e dhunës në familje ku të përfshirë janë zyrtarët policor.