Prokurorja Drita Hajdari dhe autori i emisionit "Drejtësia në Kosovë Kreshnik Gashi, Foto: KALLXO.com

Rrëfimi i Drita Hajdarit për “Pronton”

 

Në një intervistë për emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’, Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, ka folur për të fortët e rastit Pronto

Hajdari ka potencuar se politika ndikon në drejtësi ndërsa ka komentuar edhe deklaratat e Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi rreth mungesës së provave në rastin ‘Pronto’.

Biseda sjell risi rreth hetimit dhe sqaron formën se si te prokurorja nuk kishin arritur përgjimet ku flitej për Kryeprokurorin.

Hajdari flet edhe për ndikimet në gjyqësor dhe procesin në të cilin rasti “Pronto” ka kaluar.

Gjykata e Prishtinës i ka liruar nga akuza të gjithë të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Pronto’.

Gjykata këtë javë shpalli aktgjykimin me të cilin liroi Adem Grabovcin, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin dhe 8 të akuzuarit e tjerë në rastin e shumëpërfolur “Pronto”: Ilhami Gashin, Xhavit Dakajn, Fatmir Shurdhajn, Sadat Gashin, Ismet Nezirajn, Rexhë Abazin, Nijazi Kryeziun dhe Arbenita Pajazitin.

Gjykata ka gjetur se nuk ka prova se të akuzuarit gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kanë komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë në bordet e drejtorëve në ndërmarrjet publike ‘’Trainkos’’, ‘’Infrakos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’. Sipas akgjykimit të shpallur sot, Gjykata ka konstatuar se nuk ka prova se të akuzuarit kanë kryer veprën penale – shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Grabovci, Beqaj, Pajaziti dhe të tjerët akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”, etj.

Pasi Prokuroria kishte ngritur aktakuzën për përgjimet e rastit “Pronto”, gjykimi  kishte filluar me 1 tetor 2018, ndërsa me 15 nëntor Grabovci, Beqaj, Pajaziti e 8 të akuzuarit e tjerë ishin deklaruar të pafajshëm.

Gjykimi në rastin e njohur si “Pronto” përfundoi me 12 seanca gjyqësore, pas 455 ditësh, ose 1 viti e 2 muaj e 29 ditë, pas ngritjes së aktakuzës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.

Intervista transmetohen të premten  nga ora 22 e 20 në RTK dhe KALLXOLIVE