Rrëfimi i doktoreshës kosovare që ndihmoi familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri

Tërmeti që goditi Shqipërinë në mëngjesin e 26 nëntorit, hapi dyert dhe zemrat e shqiptarëve edhe nga Kosova.

Në mesin e kosovarëve që u dolën në ndihmë të prekurve nga tërmeti në zonën e Durrësit, është edhe doktoresha Dafina Krasniqi nga Fushë Kosova.

Krasniqi në një intervistë për KALLXO.com rrëfen iniciativën e saj për të dërguar barna por pa përjashtuar edhe gjëra të tjera elementare siç janë ushqim dhe veshmbathje.

Ajo tregon se përmes rrjeteve sociale kishte kuptuar që ka nevojë urgjentisht për barna, e sidomos ato për fëmijë.

“E kam pa në ‘Facebook’, që kishte shkruar një doktoreshë nga Tirana – dr. Marjola, me një listë të barnave që kanë nevojë atje. E kam marr iniciativën, me ka dal në ndihmë barnatorja ‘Joni’ në Fushë Kosovë, pasi kanë dhuruar një sasi të madhe barnash për pacientet në Spitalin e Durrësit, edhe kompania Shell përkatësisht Teuta Kryeziu shprehën vullnetin të na heqin shpenzimet e derivateve “, tha Krasniqi.

“Kemi shkuar në mëngjes me datën 29 jemi kthyer të nesërmen në mbrëmje. Kemi dërgu ma shumë barna për fëmijë, barnat kanë qenë kryesisht për temperaturë, aparate matëse e të tjera. Se pari kemi shkuar në Spitalin e Durrësit, ku u pritem nga Dr. Marjola e cila pa asnjë përtesë na shoqëroj deri tek Qendra Shëndetësore numër 2 në Durrës aty ku kishte nevojë për barna. Gjithçka shkoi në mënyrë zyrtare pranim-dorëzimi i medikamenteve nga unë”, tregon më tej 27 vjeçarja, e cila përshkruan se në atë moment stafi mjekësor i priti me lot në sy e falënderues për ndihmën që po i ofrojnë.

Pas kësaj qendre, ajo tregon rrugën për tek ‘Salla e Kulturës’ në Durrës, për të dërguar ndihmat tjera.

“Filluam shpërndarjen e barnave që ata kishin më shumë nevojë. Kemi vërejtur një buzëqeshje të lehtë në fytyrat e tyre dhe një fije shpresë në sytë e tyre për sa kohë qëndruam ne aty”, tregon ajo për emocionet që kishte ndjerë dhe parë në ato momente.

“Aty u takuam me zëvendësministren e Shëndetësisë të Shqipërisë, dr. Mira Rakacolli, u shpreh mirënjohëse shumë ndaj nesh dhe të gjithë që kanë dhënë kontributin në mënyra të ndryshme”, rrëfen Krasniqi.

Më pas, doktoresha nga Kosova tregon se kanë vizituar një hotel në Durrës ku ishin të strehuar shumë fëmijë e që kishin nevoja të mëdha elementare.

“Doktorët na kanë sjellë biskota”, ishin fjalë e fëmijëve që ajo dëgjoi teksa po luanin me top afër derës së një hoteli në plazhin e Durrësit.

Shqipëria u godit nga një tërmet me magnitud 6.4 në mëngjesin e së martës – 26 nëntor.

Nga ky tërmet u shënuan 51 viktima dhe qindra tjerë të lënduar. Shumë qytetarë të Kosovës kanë dërguar ndihma kryesisht në fshatin Thumanë të Durrësit. Kosovarët kanë hapur edhe dyertë për të strehuar bashkëkombësitë e tyre.