Rrëfimi i dëshmitarit ndaj të akuzuarit për masakrën në Burgun e Dubravës, Gavrilo Milosavleviq
Në gjykimin ndaj Gavrilo Milosavleviqit, i akuzuar për masakrën në Burgun e Dubravës, është dëgjuar një dëshmitar.
“Unë muj më thanë që nuk ka pasë gardian të burgut të Dubravës dhe të burgosur të nacionalitetit serb dhe nacionaliteteve tjera që nuk kanë marrë pjesë në këtë masakër”- kështu deklaroi dëshmitari Agron Ramadani në gjykimin ndaj të akuzuarit Milosavleviq.
Dëshmitari Ramadani në seancën e datës 30.10.2024 dha dëshminë e tij para trupit gjykues lidhur me këtë rast në Gjykatën e Prishtinës.
Milosavleviq po akuzohet se në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.
Dëshmitari Agron Ramadani për të akuzuarin tha se e kishte njohur me emrin – nofkën ‘Gagi’ dhe pas arrestimit të tij e kishte kuptuar që tashmë i akuzuari quhet Gavrilo Milosavleviq,
Në pyetjet e prokurorit Kastriot Memaj lidhur me ngjarjet në Burgun e Dubravës, dëshmitari Agron Ramadani deklaroi se ishte arrestuar më 11 qershor 1998 dhe shtoi se më 29 prill 1999 ishin transferuar në Burgun e Dubravës.
Tutje, dëshmitari deklaroi se kur kishin mbërri në Burgun e Dubravës, kishin filluar maltretimet fizike ndaj tyre.
“Fillimisht kur kena mrri në Burgun e Dubravës nga zbritja e autobusit deri te dhomat e Burgut të Dubravës na kanë pritë gardianët e burgut, kanë fillu maltretimet fizike që kanë qenë të tmerrshme, maltretime fizike, sharje, fyerje. Kordoni ka qenë nga autobusi deri te hyrja në burg”- tha dëshmitari Ramadani.
Ai tutje deklaroi se në dhoma gjatë natës pas orës 22:00 kishin filluar maltretimet dhe shtoi se në dhomën ku ai kishte qëndruar kishin qenë 6 persona.
“Unë kam qenë në dhomë me M. M., SH. Z., G. B., U. H., edhe nuk më kujtohet tjetër”-tha dëshmitari Ramadani.
Tutje, dëshmitari tha se më datë 19 prill në burgun e Dubravës një gardian kishte hyrë në dhomën ku kishte qenë duke qëndruar ai dhe të tjerët dhe kishte kërkuar nga ta të këndonin.
“Në dhomën tonë si dhe në dhomat tjera diku para fillimit të bombardimeve para 19 prillit po flas për Burgun e Dubravës, diku pas orës 10:00 na u ka ndez drita në dhomën 22 dhe është hapë dera nga gardianë të burgut, njëri nga gardianët ka hy në dhomë, unë isha afër derës ku e kisha krevatin afër derës, ka hy në dhomë unë jam ngritë në këmbë”- tha dëshmitari Agron Ramadani.
“Fillimisht iu ka drejtu U. H., me fjalët shkaku juaj na po bombardohemi në gjuhën serbe”. “Ju jeni terroristë na po ju majm këtu në burg hajdeni të këndojmë të gjithë në gjuhën serbe “KO TO KAZHE, KO TO LAZE, SRBIJA JE MALA “Serbia e madhe………..” ne u habitëm me pas asnjëri nga ne nuk ka folë”- shtoi tutje dëshmitari Ramadani gjatë rrëfimit të tij.
Tutje, dëshmitari deklaroi se gardiani e kishte pyetur SH. Z. për emër dhe kishte kërkuar nga ai të këndoj dhe pasi i njëjti nuk kishte kënduar e kishte kapur për fyti.
Tutje, dëshmitari tha se njëri nga gardianët që kishte qenë afër derës e kishte thirrur personin që kishte qenë duke e mbajtur për fyti SH. Z., “Dosta Gagi”.
Tutje, dëshmitari deklaroi se gjendja e tij shëndetësore dhe e tjerëve në burg kishte qenë jo e mirë, dhe shtoi se ushqimi që iu kishte ofruar kishte qenë në sasi të limituar.
Dëshmitari Ramadani deklaroi se në burg as nuk kishin mundur të flinin për shkak të britmave të të burgosurve.
“Po them fjetjes se aty gjumë nuk ka bo kurrkush, për shkak se çdo natë u nijshin britmat e të burgosurve nëpër dhoma të tjera”- deklaroi dëshmitari Ramadani.
Dëshmitari i pyetur për datën 22.05.1999 deklaroi se ishin thirrur që të dalin te fusha e sportit (stadium) për të dalur në renditje për numërim dhe pastaj kishim filluar të shtënat me armë zjarri ndaj tyre.
Dëshmitari deklaroi se nga të shtënat ai kishte mbetur i plagosur.
“Aty kanë mbetur të vdekur disa dhe të plagosur, ndër ta edhe unë kam qenë i plagosur”- tha dëshmitari Ramadani.
Ai gjatë deklarimit të tij tha se në rreshtim kishin qenë 500-600 të burgosur.
“Aty brenda në rreshtim përafërsisht diku 500-600 të burgosur të rreshtuar rresht pas rreshti, më pas e kemi kuptuar se sipas fjalëve diku 130 nashta edhe më tepër kanë qenë të vrarë, të plagosur diku 400 nashta edhe më shumë”- tha dëshmitari Ramadani.
Dëshmitari Agron Ramadani deklaroi se më datë 24 maj i kishin transferuar në Burgun e Lipjanit dhe aty kishin qëndruar deri më datë 9 apo 10 qershor të vitit 1999 dhe më pas i kishin transferuar në Burgun e Nishit atë dhe të tjerët.
Tutje, prokurori Kastriot Memaj propozoi që me leje të gjykatës dëshmitari të kthehet prapa dhe të shikoj nga i pandehuri nëse është i akuzuari personi me emrin Gagi, mirëpo lidhur me këtë mbrojtësi i të akuzuarit Milosavleviq, avokati Nebojsha Vllaiq pati kundërshtime.
Tutje, trupi gjykues refuzoi propozimin e prokurorit Memaj.
Dëshmitari Agron Ramadani i dorëzoi Gjykatës edhe disa fotografi, ndërsa lidhur me to trupi gjykues njoftoi se do të vendosë nëse do ia fal besimin apo jo.
Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari Zeqir Lenjani, mirëpo prokurori propozoi që dëshmia e këtij dëshmitari e dhënë më 27.04.2022 në polici të lexohet. Këtë propozim të prokurorit e mbështeti edhe mbrojtja.
Tutje, trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurorit Memaj.
Kjo çështje penale po gjykohet nga Vesel Ismajli- kryetar, anëtarët Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi.
Aktakuza ndaj të pandehurit Gavrilo Milosavleviq ishte ngritur më 29.11.2023, ndërsa shqyrtimi fillestar ishte mbajtur më 07.12.2023.
Gjatë shqyrtimit fillestar i akuzuari Milosavleviq pas leximit të aktakuzës nga Prokuroria kishte deklaruar se e ka kuptuar veprën për të cilën po akuzohet mirëpo kishte deklaruar se nuk ndihet fajtor.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, i pandehuri Gavrilo Milosavleviq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.
Sipas aktakuzës, Gavrilo Milosavleviq në bashkëkryerje me njësitë policore serbe kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut, i njohur si fusha e sportit”, të dalin 1 mijë të burgosur, me arsyetimin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje, sipas aktakuzës, menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve njësitë policore serbe i kishin gjuajtur me të gjitha llojet e armëve, si “Kallashnikov”, mitraloz, mortajë dhe armë të tjera, kurse nga mbrapa murit të burgut me granata dore.
Nga ky operacion i vrasjes, i cili kishte filluar nga 22.05.1999 dhe kishte zgjatur deri me 24.05.1999, si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur dhe 108 të burgosur kishin mbetur të plagosur.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarakë serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë në pavijonet “B” dhe “C” (pavijonet e Burgut të Dubravës), duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civilë shqiptarë, duke i ofenduar dhe maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, pa ndonjë arsye, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.
Për këto veprime, i akuzuari Gavrilo Milosavleviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.
Ky artikull është mundësuar përmes mbështetjes së YIHR KS si partner implementues i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e Internews Kosova dhe nuk reflekton pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ose Nismës së të Rinjve për Të Drejta të Njeriut (YIHR KS).