Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Rrëfimi i dëshmitarit – I dënuari më kërkoi që t’i hyjë dikujt në shtëpi për të bërë fotografi
Me gati 3 vonesë, ka nisur gjykimi ndaj Bedri Krasniqi dhe Alban Dezdarit, të akuzuar për vrasjen e një polici kosovar dhe një zyrtari policor të UNMIK-ut.
Në cilësinë e dëshmitarit sot u dëgjua M.D., i cili deklaroi me Alban Dezdarin kishin qenë në të kaluarën në marrëdhënie familjare, por jo edhe sot e kësaj dite.
Dëshmitari M.D. rrëfimin e tij e nisi duke treguar që vite më parë kishte pranuar një telefonatë nga Shkumbin Mehmeti.
Sipas tij, Shkumbin Mehmeti i kishte thënë atij që të shkoj tek shtëpia e Alban Dezdarit dhe të realizoj disa foto brenda shtëpisë së Dezdarit, duke i premtuar dëshmitarit që do t’i ndihmoj në zbulimin e rastit të vëllait të tij, i cili ishte vrarë vite me parë.
Por sipas dëshmitarit, këto ishin vetëm pretendime, pasi që Shkumbin Mehmeti nuk dinte asgjë në lidhje me vëllain e dëshmitarit.
I njëjti shtoi që nga bisedat telefonike qe kishte zhvilluar me Shkumbin Mehmeti, gjithnjë sipas dëshmitarit, kishte thënë që ai e ka në dorë Alban Dezdarin dhe vetëm kur ai dëshiron mund ta lëshoj nga burgu këtë të fundit.
Tutje në pyetjen e mbrojtësit të Alban Dezdarit, Florent Latifi se çka kishte Sh.M. kundër Dezdarit, dëshmitari u tregon se cfarë i ishte thënë.
“Veç thoshte po du me ia shkatërru zemrën edhe ka me shkatërru psiçikisht” – u përgjigj dëshmitari.
Dëshmitari përfundoi dëshminë e tij duke treguar që kishte komunikuar me telefon para dy viteve me Shkumbin Mehmeti, diku rreth 15 herë brenda 2 jave, deri sa i njëjti kishte kuptuar që nuk mund të realizoj një kërkesë të tillë, që kishte qenë sigurimi i fotografive brenda shtëpisë së të akuzuarit.
Seanca e radhës pritet të mbahet me 26 tetor të këtij viti, në të cilët do të dëgjohen dëshmitarët e tjerë të propozuar nga palët.
Të akuzuar të tjerë për vrasjen e policit të Kosovës dhe të policit të UNMIK-ut kanë qenë edhe Bajram Kiqmari e Faik Shaqiri, por pas marrjes së aktvendimit nga Gjykata Supreme në shtator 2017, të njëjtit ishin liruar pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.
Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin, ndërsa Shkumbin Mehmetin e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me 30 vite burgim, më 9 nëntor të 2007.
Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.
Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, P.E., dhe zyrtarin policor të Kosovës, A. R., të cilët kishin qenë në detyrë.
Zyrtari i Policisë së Kosovës B. M. dhe përkthyesi i UNMIK-ut R. Z., kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.
Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.