Rrëfimi i dëshmitares për vrasjen në 'Bon Vivant' në gjykimin ndaj të akuzuarit Andi Pajaziti

Në gjykimin ndaj të akuzarit Andi Pajaziti në lidhjen me vrasjen që kishte ndodhur në lokalin ‘BonVivant’ në kryeqytet, ka dëshmuar Rigona Bajrami, dëshmitare e cila kishte qenë prezente në natën kritike.

Bajrami tha se më 04.08.2023 kishte qenë në atë lokal me një shoqe të saj dhe kunatën e saj. Në fillim të dëshmisë, dëshmitarja tha se nuk kishte dëgjuar asgjë pasi kishte pasur muzikë të lartë.

Por kur u pyet nga prokurorja, Bukurije Gjonbalaj se pse ishte larguar nga lokali atë natë, dëshmitarja tha se kishe dëgjuar një krismë, më pas kishte dëgjuar disa rrafalle të armës e më pas të gjithë kishin filluar të largoheshin nga lokali.

“Kur kam dëgjuar të shtënën e parë menjëherë kam dëgjuar edhe rrafalle të tjera edhe i kam pa njerëzit duke vrapuar, kam qenë krejt e humbur në atë moment, dikush u gjuajt mbi tavolinë, dikush andej, i kam pa t`u vrapu, t`u ik, unë kur kam provu me ik, jam venë nën tavoline”-  tha dëshmitarja, Bajrami.

E njëjta tha se në largim e sipër e njëjta kishte përfunduar nën njërën nga tavolinat e lokalit dhe kishte parë një person të gjakosur të shtrirë në tokë por që fytyrën nuk ia kishte parë.

Dëshmitarja tutje tha se nuk ka kurrfarë lidhje me të akuzuarin Andi Pajaziti dhe se nuk ka arritur të shoh askënd kur kishte dëgjuar të shtënat me armë.

Me të filluar gjykimi për këtë rast në vend të prokurores Nebahate Salihu u paraqit prokurorja, Bukurije Gjonbalaj, e cila i kishte dërguar një plotësim të aktakuzës Gjykatës.

Gjykata njoftoi se plotësimi i aktakuzës kishte ardhë për pesë dëshmitarë të cilët është kërkuar që të kenë edhe statusin e palëve të dëmtuara.

Gjithashtu gjyqtari, Eroll Gashi njoftoi palët prezentë se familjarët e të vrarit nuk do të marrin pjesë në seancë pasi që kanë dërguar një shkresë me të cilën kanë shprehur pakënaqësinë me punën e prokurorisë dhe me vendimin e Gjykatës që kishte dënuar përfaqësuesin e familjes, Flakron Sylejmani.

Kujtojmë që më 05.12.2024 prokurorja Nebahate Salihu kishte dërguar lëndën te Kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës për të vendosur lidhur me kompetencën lëndore të këtij rasti, por që gjyqtari, Gashi nuk përmendi nëse është vendosur ose jo lidhur me këtë kërkesë të prokurores.

Si ishte kryer vrasja sipas Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, rasti kishte ndodhur më 04.08.2023 rreth orës 23:15, ku paraprakisht ishin të ulur i pandehuri, i cili gjendet në arrati, Dukagjin Likaj, bashkë më tani të ndjerin K. R.

Dosja përshkruan se Likaj ishte ai që e kishte ftuar të akuzuarin Andi Pajaziti të ulet te tavolina e tyre.

Pas tensionimit të situatës, sipas Prokurorisë, ishte sigurimi Hisni Gecaj ai që ishte munduar ta qetësojë situatën, por nuk kishte arritur.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se tashmë i ndjeri K. R. e kishte sulmuar me shishe dy herë në kokë të akuzuarin Pajaziti.

Pas këtij sulmi, i akuzuari e kishte nxjerrë armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, siç përshkruhet në aktakuzë “pa fajin e tij, pa menduar për pasojat”, shtie më armë zjarri me ç’rast e godet tashmë të ndjerin K. R.

Sipas dosjes së Prokurorisë, armën e kishte nxjerrë edhe Dukagjin Likaj, gjatë kësaj kohe ia kishte mbajtur dorën sigurimi Hisni Gecaj, kurse arma ishte e drejtuar në drejtim të të akuzuarit Pajaziti.

Dosja thotë se Dukagjin Likaj ka shtënë me armë në drejtim të të pandehurit Pajaziti me ç’rast e “ka lënduar në bërrylin e dorës së majtë” dhe si të tilla bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore me pasoja të përhershme shëndetësore.

Vdekja e K. R., sipas Prokurorisë, ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme e cila ka çuar në shok hemorragjik, si pasojë e predhës së armës së zjarrit.

Arma e cila është përdorur, sipas Prokurorisë, është tip “Smith” e kalibrit 9mm.

Për këtë, i akuzuari përveç kryerjes së vrasjes, akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Pajaziti është duke qëndruar nën masën e paraburgimit. Pajazitit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 07.08.2023, së bashku me të dyshuarit, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti.

Por Gecaj dhe Zakuti ishin liruar nga kjo masë pas kërkesës së Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë në këtë rast në rrezik ishin jetët edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte K. R., i cili kishte vdekur në QKUK.

13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i lexon në këtë LINK.