Banori duke rrëfyer për prodhimin e kriptovalutave në lagjen Suhodoll, Foto: KALLXO.com

Rrëfimi i banorit nga Suhodolli i cili pati oferta ta lëshojë shtëpinë me qira për prodhimin e Bitcoin-ëve

Një banori të lagjes Suhodoll në veri të Mitrovicës brenda një kohe të shkurtër i janë ofruar tri oferta për ta lëshuar tavanin e shtëpisë me qira për të vendosur pajisje të cilat prodhojnë valuta digjitale.

I njëjti thotë se ata që i kërkuan për ta lëshuar tavanin me qira patën edhe disa kërkesa. Çmimet e qirasë për pajisje të prodhimit të valutave digjitale sipas banorit vendosen për copë të pajisjes që prodhon valuta digjitale.

Oferta të tilla sipas tij ka të shumta dhe e gjithë kjo pasi që të njëjtat pajisje shpenzojnë shumë energji elektrike ndërsa në veri të Kosovës nuk paguhet energjia nga banorët.

Katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës tash e 21 vite nuk paguajnë energji elektrike.

Qeveria e Kosovës, çdo vit ndan më shumë se 10 milionë euro për shpenzimet e energjisë elektrike që shfrytëzohet nga ana e banorëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan e Mitrovicën Veriore.

KALLXO.com po transmeton hulumtimin i cili zbardh funksionimin e prodhimit të kriptovalutave në veri të Kosovës. Për disa nga banorët e veriut kjo situatë e prodhimit të valutave digjitale po krijon probleme të mëdha.

“Po kemi problem shumë më tension e rrymës në fshatin Suhodoll për shkak të Bitcoin-ëve që kanë pru shumë në fshatin Suhodoll, Gushavc, Vinarc e në krejt rajonin këtej veriut. Po kemi djegie të kabllove qe katër herë, po na kushton ka 2 mijë e 2 mijë e 500 euro sa herë që po digjen”, tregon banori i lagjes Suhodoll deri sa shton se pajisje për prodhim të Bitcoin-ëve gjen në ëdo të dytën apo të tretën shtëpi.

Ai shton se prejardhja e atyre pajisjeve është nga vende të ndryshme të Kosovës të cilët i dërgojnë në veri të Kosovës për shkak se nuk paguhet energjia elektrike që shfrytëzohet atje.

“Këtu po i sjellin, shumica janë që i bijnë prej Prizrenit, Prishtinës prej vendeve të tjera. Shkak është këtu pagesa e rrymës edhe po i bojnë po i vendosin në fshatin Suhodoll. E paguajnë një qira të tyre prej 15 euro deri 20 euro copën e Bitcoin-it varësisht sa copa i ka njeri, përafërsisht çdo shtëpi i ka 15 copa”, rrëfen tutje banori.

Ai madje tregoi që në të gjithë lagjen Suhodoll nga 300 shtëpi, gjysma kanë lëshuar ndonjë vend në shtëpi për pajisjet që prodhojnë valuta digjitale.

“Në bazë të ngarkesës të rrymës çfarë po e bëjnë dëmin qysh e kanë konstatu edhe elektricistët që harxhohet një rrymë shumë e madhe, sepse ai po i harxhuaka 2.5 kilovatë në orë një copë. Do të thotë aty janë 10 copa çdo shtëpi nga 10 copa, shumëzohet ajo edhe ku po dalin këto?”, tregon ai deri sa shton se me rritjen e prodhimit të kriptovalutave janë rritur edhe kërkesat për qira për pajisjet.

“Tash që janë rrit kërkesat shumë njerëzit po lakmojnë e të tjerët po i bijnë me qira, po paguajnë pak, rryma nuk paguhet e ne po na bëjnë dëm”, vazhdon të rrëfejë banori.

Ai shpjegon edhe se çfarë oferta mori për të mbajtur në shtëpi pajisje për prodhimin e kriptovalutave digjitale.

“Po personalisht mua më kanë ofru para një viti, më kanë lutë me mi qit në tavan të shtëpisë për shkak të rrezikut që po mujshin me u kallë, nuk kam pranu me i qitë. Më kanë ardhur prapë tash para 1 muaji, 1 muaji e gjysmë edhe më kanë kërku një shupë që e kam aty për me i vendos. Më kanë ofru 15 copa, së pari herë ka 15 euro, të dytën herë nga 20 euro copa”, rrëfen ai.

Ai madje tregon edhe se ofertat për qiranë e pajisjeve për prodhim të kriptovalutave digjitale nuk janë të ngjashme në çdo lagje apo komunë në veri të Kosovës.

“Po tash këta ndërrohen në lokacione tona. Suhodolli ia kërkon 20 euro qiranë, e dërgon në Gushavc, aty 15 euro ja ka ofru dikush tjetër ma lirë e çojnë te ai tjetri, këtu prapë vjen një tjetër prej Pejës, Prishtinë prej vendeve të ndryshme”, shpjegon skemën e funksionimit banori i lagjes Suhodoll.

Banori i lagjes Suhodoll u ankua edhe se për shkak të ngarkesës që kanë krijuar prodhimi i kriptovalutave digjitale ka pasur edhe dëmtim të sistemit të energjisë elektrike në lagjen ku jeton.

“Po, na u dashtë me i ndërru vet, 40 familje e kemi pagu kabllon që tri herë që digjet edhe e kemi pagu, me financim tonin, diku 3 mijë e 600 euro na ka ra me ble kabllon e re se nuk kishim rrymë”, rrëfen banori.

Përveç rritjes së kërkesave për qiranë e pajisjeve që prodhojnë valuta digjitale, banori rrëfen edhe se kanë probleme me vjedhje të cilat më parë nuk kanë ndodhur në lagjen ku jeton.

“Që 20 vite na s’kemi pas hajni kurrë në Suhodoll, ke lanë kerr a çka ke dashtë në rrugë, kurrkush nuk i ka prek, sot i ke hajnat çdo ditë që hypin nëpër tavane me shku me i marrë ato bitcoina, nëpër shupa të njerëzve e t’u i kërcënu njerëzit. Mua personalisht nuk më kanë dalë, po u kanë dalë njerëzve për me ua marrë bitcoinat”, thotë ai deri sa shton se ka raporte të shumta në polici për ngjarje të tilla.

Ai tutje tregon se arsyeja pse nuk ka pranuar të liroj tavanin e shtëpisë me qira për prodhim të bitcoin është për shkak të disa kërkesave nga ana e ofertuesve.

“Po personalisht më ka thënë se unë ja kam kërku qiranë ma të madhe dhe më ka thënë me i vendos kamerat dhe në qoftë se humbin apo me vidhen, në qoftë se në kamera shihet që unë jam i dyshuar, unë me i pagu ato. Nuk kam pranu për shkak që po vjedhin edhe mos me i bë vetit telashe me më ardhë hajnat deri në shpi me u bë një problem ma i madh ose mem vra, mem plaçkitë apo mem dalë me pronarin e tyre problem”, tregon ai.

Banori thotë se në rast se komunat veriore do të paguajnë energjinë elektrike numri i prodhuesve të valutave digjitale do të bie për shkak se duhet të paguhet edhe energjia elektrike.

“Në qoftë se vjen me pagu rrymën ata kanë me i heq menjëherë sidomos në fshatin Suhodoll edhe prej tjera fshatrave, se ato për shkak të mos pagesës së rrymës po i bijnë këtu se ai nuk kish dashtë prej Pejës me ardhë me bë harxhime me u endë me kerre me ardhë me i ristratu, me i këqyrë”, vazhdon tregon banori i lagjes Suhodoll.

KALLXO.com transmetoi mbrëmjen e sotme hulumtimin për prodhimin e kriptovalutave digjitale në veri të Kosovës, një zonë e cila që nga paslufta nuk paguajnë energji elektrike.

Mos pagesa e energjisë elektrike u ka dhënë hapësirë personave të ndryshëm që të shfrytëzojnë energjinë elektrike pa pagesë dhe të prodhojnë kriptovaluta digjitale.

Prodhimi i kriptovalutës Bitcoin me energji elektrike shfrytëzon më shumë se sa për përdorim të zakonshëm.