Rrëfimi i babait që ka djalin me leukemi: 50 mijë euro ku me i marrë unë me ua dhënë atyre në dorë? - VIDEO
Djali i Islam Danit nga Istogu, tash e disa javë po ballafaqohet me sëmundjen e leukemisë akute. 16 vjeçari tashmë është duke u trajtuar një një spital në Itali, me mjete financiare të cilat babai i tij thotë se i ka siguruar me ndihmën e njerëzve të afërt. Duke qenë se djali i tij është i mitur, Dani thotë se ka bërë shkresë zyrtare në Fondin e Sigurimit Shëndetësor që t’a përkrahë me pjesë të plotë apo të pjeshme të shpenzimeve të trajtimit.
“Edhe ata në Ministri janë zotu se ‘shpenzimet i paguajmë na’, mirëpo mua më kanë thënë se spitalin duhet me e gjetë vetë, në Turqi, në Austri, në Francë, kudo që mundesh, spitalet duhet me i gjetë vetë. Unë përmes disa agjencioneve rreth Ministrisë së Shëndetësisë, aty ku duhet me apliku për fëmijë, në ato agjenci i kam lyp spitalet ku janë, ata m`i kanë ofru, mirëpo spitalet e Turqisë ma kanë kthy shumën prej 160 mijë euro dhe më kanë thënë se 50 mijë euro duhet me i pasë në dorë për me ta pranu djalin në spital”- thotë Islam Dani.
Ai thotë se vështirësi ka hasur për gjetjen e spitalit, ngase siç rrëfen kusht për fillimin e trajtimit në një Spital në Turqi ka qenë dorëzania prej 50 mijë euro, për të cilat shprehet se nuk kishte mundësi që t’i paguante.
“Pjesa e shërimit, por pa transplant domethënë, është 100 mijë euro, spitali që më ka qu (kërkuar), me transplant, 168 mijë euro. Mirëpo ata i kanë lyp në dorë me i pasë unë 50 mijë euro. Në fillim si t’a çoj djalin 25 mijë euro, pas 10 ditëve, maksimumi pas një muaj ditë. 50 mijë euro ku me i marrë unë? Unë që jetoj me një rrogë të veteranit,me një pension të veteranit 170 euro, ku me i marrë unë 50 mijë euro me u’a dhënë. Atëherë në njëfarë mënyrë jam mbetë në rrugë dhe s’kam ditë kah t’ia mbajë, por falë Zotit dhëndrrin e kam në Itali. Në ndërkohë ai ka mbërri në Kosovë kur i kam pasë unë këto letrat e gatshme dhe unë me gjith djalë jemi shku në Itali” thotë ai.
Ai ka rrëfyer se djali i tij tashmë është në gjendje stabile, por se shprehë dyshime nëse do të kompensohet nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.
“Djali është në spital, është në gjendje stabile duke u shëru edhe pagesa është ba me ndihmën e qytetarëve tonë”.
“Kur i paguan as unë nuk e di, e mua m’u kanë desht në dorë me i pasë qysh mi ka lyp spitali atje (në Turqi) cash 50 mijë euro, 50 mijë euro të mijat nuk i kam pasë edhe nuk kam pasë shanse me i pasë e as nuk i kam, e për atë arsye mu ka deshtë me lyp rrugë të tjera… Trajtimi është bukur i gjatë, para dy-tre muajve s’e besoj që ka shanse, sepse është sëmundje e rëndë edhe nuk e besoj. Mundet një vit me zgjatë, kontrollat e kam fjalën, a para dy-tre muajve prej spitalit s’del, nuk e besoj që del”- tha Dani.
KALLXO.com ka këkruar sqarime nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor të Kosovës, të cilët kanë deklaruar se pacienti në fjalë, është pajisur me fletëzotim për pagesë, por se mbështetja financiare për pacientin mund të ofrohet vetëm pas perfundimit të trajtimit mjekësor.
“Pacienti ka aplikuar ne Fondin e Sigurimit shëndetësor me date 18.12.2024 me nr. Protokolli 2696, ne po te njëjtën ditë më 18.12.2024 pacienti është pajisur me Flete-zotim. Aktualisht jemi ne pritje të Faturës dhe Raportit Mjekësor. Referuar dispozitave ligjore përkatëse, mbështetja finaciare për pacientin në fjalë mund të realizohet pas përfundimit të trajtimit mjekësor, konform Raportit konziliar të lëshuar nga QKUK”- tha Amir Keka- Drejtor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Po ashtu KALLXO.com të njëjtit i ka pyetur nëse në raste të tilla mund të mundësohet parapagesa nga Fondi, por që sipas tyre, kjo procedurë nuk aplikohet më.