Rrëfimi i autores së librit që bazohet në jetën e shqiptarëve gjatë mesjetës

Shkrimtarja e njohur shqiptare Majlinda Bregasi ka shpalosur arsyet se pse ka vendosur të shkruajë një libër që bazohet në jetën e malësorëve e priftërinjve shqiptarë gjatë mesjetës.

Romani titullohet “Fillimi i një fundi” dhe bazohet në vitet 1500-1600.

“Ajo është periudha kur filloi dhe mbaroi çdo gjë në kulturën tonë. Mbaroi ajo çka kishim ndërtuar më përpara, gjithë ajo traditë që kemi pasur, se ne nga qielli nuk kemi pikur, as nga ndonjë planet i çuditshëm, por kemi jetuar në perandorinë romake, mes Greqisë, Italisë, gjeografikisht ka qenë e pamundur që ne të jemi popull i pazhvilluar sepse nuk kemi mundur të ndërtojmë mure me këto dy civilizime botërore”, tha ajo.

Sipas Bregasit, ajo ka qenë periudha kur janë shkruar librat e parë në gjuhën shqipe.

“Në atë kohë ka filluar edhe konvertimi i një pjesë të shoqërisë, nga të krishterë, pra gradualisht, në myslimanë dhe në mendjen time ka qenë një, ta mendoj si ka ndodhur dhe aty është një histori dashurie e një vajze me një djalë të cilit i konvertohet i ati në mysliman dhe konflikti familjar që ndodhë”, theksoi shkrimtarja.

Majlinda Bregasi, shkrimtare dhe profesoreshë e gjuhës italiane dhe latine në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur mes tjerash edhe për rëndësinë e leximit të librave, në kohën e internetit dhe shkrimeve të shkurtra në rrjetet sociale.

Majlinda Bregasi jeton mes Kosovës dhe Italisë. Ajo është lindur dhe rritur në Shqipëri, por të gjithë karrierën e ka zhvilluar në Kosovë, që nga viti 1995.