Rrëfimet për vrasjet e shqiptarëve në Sllovi të Lipjanit më 1999

Në gjykimin ndaj Goran Stanishiqit, i cili po akuzohet për krime lufte të kryera në fshatin Sllovi të Lipjanit, kanë dhënë dëshminë e tyre dy dëshmitarë të cilët kanë rrëfyer se si forcat serbe i kishin pushkatuar familjarët e tyre.

Stanishiq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë prillit 1999, si pjesëtar i forcave policore serbe, bashkë me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasjet dhe dëbimet e popullatës civile shqiptare në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Dëshmitari R. G., ka treguar se më 15 prill 1999, kishin hyrë dy persona në shtëpinë e tij në fshatin Sllovi, duke iu kërkuar që të gjithë anëtarët e familjes të dalin nga shtëpia e tyre.

Të njëjtit sipas dëshmitarit i kishin urdhëruar që të dilnin nga shtëpia dhe të nisen për në fshatin Tërbovc, ku gjatë rrugës ishin ndaluar nga forcat serbe dhe sipas dëshmitarit gjatë asaj kolone, forcat serbe i kishin ndaluar F. K. dhe G. H.

Tutje dëshmitari tha se të njëjtit janë vrarë nga forcat serbe, pasi që i kishte dëgjuar të shtënat e armëve.

“E kanë marrë ata, e kanë zbrit, e kanë shti Faikun te shtëpia e H. G., mas 1 minuti e kanë pushkatu aty u ndi zhurma, e kanë vra aty për aty”, tha dëshmitari.

Rrëfimin e tij dëshmitari e vazhdoi duke thënë se në të njëjtën ditë forcat serbe kishin ndaluar edhe kushëririn e tij B. G., të cilin po ashtu e kishin vrarë.

Më pas dëshmitari tregoi se pas dy jave kur ishte kthyer në fshat nuk i kishte parë kufomat.

“Kufomat nuk i kam pa, por sa kemi nejt në mal kemi fol me banorët e fshatit edhe na kanë kallxu. Dhe në mesin e atyre e kam pas edhe djalin e agjës,  dhe kam marrë vesh se edhe B. G. e kishin nal edhe njerëzit na patën tregu se e kanë pushkatu serbët”, tregoi dëshmitari R. G.

Kurse për të akuzuarin Goran Shtanishiq, dëshmitari tha se e ka parë në ditën kritike, dhe i njëjti sipas dëshmitarit kishte qenë me prindin e tij, duke iu dhënë urdhëra banorëve të fshatit që të vazhdojnë në drejtim për në fshatin Smallushë.

Me të përfunduar dëshminë, dëshmitari R. G., gjykimi vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit tjetër F. G., por i njëjti është marrë në pyetje vetëm nga prokurorja e rastit Drita Hajdari.

Ndërsa mbrojtësi i të pandehurit Goran Stanishiq, avokati Lubomir Pantoviq, tha se nuk ishte i përgatitur për të marrë në pyetje dëshmitarin F. G. në seancën e sotme, me arsyetimin se nuk kishte dijeni për dëshmitarin G. që do të dëshmojë sot.

Dëshmitari F. G. ka treguar se kishte qenë së bashku me F. I. duke ngrënë bukë në oborrin e F., tek bunari.

Në ato momente dëshmitari ka thënë se kishte ardhur një veturë e llojit Ladë, ku e kishte parë të akuzuarin Goran Stanishiq duke dalur nga ajo veturë, së bashku me Sashën.

“Në atë moment u ndal Llada edhe kanë zbrit prej kerrit, 4 veta i kom parë, Goranin me Sashën, kanë dal prej anës së djathë, edhe Sasha i Damijanit”, shtoi dëshmitari.

Më pas i njëjti tha se ata persona kishin qenë të veshur me uniformë të paramilitarëve me ngjyrë të gjelbër të mbylltë , dhe të armatosur.

Kurse për të akuzuarin Goran Stanishiq, dëshmitari tha se i njëjti ka qenë i veshur me uniformë, por fytyrën e kishte pasur pa maskë dhe në dorë kishte pasur kallashnikov.

Tutje i njëjti ka treguar se kur i kishin parë personat e lartcekur duke dal nga vetura, i njëjti kishte filluar të ikte, dhe në atë moment kishte dëgjuar të shtëna, dhe sipas tij nga ato të shtëna ishte vrarë F. I.

Pasi prokurorja Hajdari e përfundoi marrjen në pyetje ndaj dëshmitarit G., dhe meqenëse radha ishte e mbrojtësit të të akuzuarit Stanishiq, avokatit Lubomir Pantoviq, dhe meqenëse i njëjti nuk ishte i gatshëm që ta marrë në pyetje dëshmitarin, bazuar në këtë situatë, gjyqtari i çështjes Valon Kurtaj, ndërpreu seancën e sotme për të vazhduar ditën e nesërme.

Sipas Prokurorisë Speciale, Goran Stanishiq gjatë 15 dhe 16 prillit 1999 ka kryer krime lufte kundër popullatës civile shqiptare dhe atë ndaj fqinjve të tij.

Në aktakuzë thuhet se Goran Stanishiq gjatë vitit 1999 jetonte në fshatin Sllovi të Lipjanit dhe se ishte pjesëtar rezervë i Policisë.

Ai në katër pikat e aktakuzës së Prokurorisë akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes G., vrasjen e F. B., Z. G. dhe personave të tjerë të ciltë sipas Prokurorisë ishin ndarë nga kolonat me qytetatarë dhe ishin pushkatu.