Rrëfimet e familjarëve të pacientëve të prekur me COVID-19: Të gjitha barnat po i blejmë me vetëfinancim - VIDEO

Familjarë të shumë pacientëve të shumtë të shtrirë në Klinikat e Shërbimit Spitalor të Kosovës, mund të shihni çdo ditë në oborre, me qese në dorë e duke u pajisur për të hyrë brenda klinikave.

Kjo pasi që të njëjtit furnizojnë me ushqim e barna, familjarët e tyre të prekur me COVID-19.

 

Ibadete Syla nga Komuna e Gjakovës ka vjehrrën të shtrirë në Klinikën Infektive. Ajo tregon se të gjitha barnat duhet të i blej vetë pasi që nuk ka të tilla brenda klinikës.

“Unë e kam vjehrrën e kam të shtrirë këtu që dy ditë. E kemi transferuar nga Gjakova në spital këtu sepse e ka gjendjen bukur të rëndë. Barnat komplet duhet me i siguru vet përveç oksigjenit sepse nuk kish kurrgjë tjetër këtu. Po duhet vet ose shoku sepse ai nënën, po duhet vet mu ofru me u kujdes për nënën, duhet me hi në dhomë vet me i ndihmu të shumtën e herëve. Vjehrra e ka gjendjen bukur të rëndë, është me infuzione dhe ushqimin po e merr këtu”, tha ajo.

Tutje ajo tregon edhe se gjatë ditës së djeshme kishin arritur në kohë brenda Klinikës Infektive, sepse vjehrrës së thuajse i kishte përfunduar oksigjeni dhe kishte filluar të kishte vështirësi në frymëmarrje.

“Me aparatet e oksigjenit mirë, por shpesh herë po ndodh që nëse nuk jemi këtu, ashtu sikurse mbrëmë, një problem me ujin e oksigjenit fatmirësisht kemi mbërri në kohë. Mbrëmë veç kish ardh duke ju vështirësuar frymëmarrja, kur po hargjojke uji ajo ish e vështirë me u përdor”, tregon Syla për KALLXO.com.

Një tjetër familjar Bekir Hasani, i cili ka të shtruar nënën në Qendrën e Mjekësisë Sportive e që thotë se është në gjendje të rëndë, pret ende rezultatet nëse ajo është e prekur me COVID-19 apo jo ani pse i ka të gjitha simptomat dhe po trajtohet me oksigjeno terapi.

Hasani shpjegon se të gjitha barnat është dashur të ia blej nënës së tij pasi kështu i është kërkuar nga ana e doktorëve të kësaj qendre.

“Barnat çdo ditë në ora 1 kur na japin recetën e barnave, qato që i shkruajnë duket me i ble. Varet deri në 125 euro po më bëhen barnat dhe të gjitha po i blejmë vet”, tha Hasani.

Ai shtoi se vetëfinancimi për barna po ndikon në buxhet, ndërsa shtoi se ky mund të jetë problem më i madh te personat që nuk kanë punë dhe nuk i kanë kushtet e mira financiare.

Fitim Duriqi nga Komuna e Lipjanit tregoi se nëna e tij gjatë ditës së sotme është shtruar në Klinikën Infektive ndërsa, nuk i është bërë tesi për COVID-19 për shkak të mungesës së tyre.

“Jo barna po skish kurrgjë hiq. Kurrkush nuk po të marke në dorë. Që tri orë jam me nanën jemi duke u sjellë andej- këndej dhe po na thonë që s’ka teste edhe një jave. Sot e kemi pru në Klinikë, a kanë thanë që s’ka teste edhe një javë as në dhomë nuk e kanë sistemu është duke qëndru në korridor edhe kurrkush nuk e mur parasysh. Veç po duhet me intervenu”, thotë Duriqi.

Klinika e Pulmologjisë po trajton më shumë se 50 pacientë të infektuar me COVID-19.

Një pjesë e pacientëve po trajtohen me oksigjenoterapi për shkak të gjendjes së rënduar nga infektimi me coronavirus.

Në Kosovë, me statistikat e fundit numri i rasteve pozitive është 5 mijë e 369 raste pozitive nga 29 mijë e 546 persona të dyshimtë me COVID-19.

Numri i vdekjeve është rritur, pra në total janë 118 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.