Rrëfimet e dëshmitarëve për vrasjet e shqiptarëve në Sllovi të Lipjanit më 1999

Në gjykimin e Goran Stanishiqit, i cili po akuzohet për krime lufte të kryera në fshatin Sllovi të Lipjanit, dëshminë e tyre e kanë dhënë, dëshmitaret Gj. H. dhe F. K.

Stanishiq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë prillit 1999, si pjesëtar i forcave policore serbe, bashkë me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasjet dhe dëbimet e popullatës civile shqiptare në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Dëshmitarja Gj. H. në pyetjet e prokurores speciale Drita Hajdari, ka rrëfyer historinë e saj se si kishte shkuar në fshatin Sllovi, ku kishte përjetuar tmerrin me sytë e saj.

“Na shkuam në fshatin Sllovi tek baba jem, me 4 fëmijët e mi, sepse burri më pat vdekë para një viti, dhe me 15 prill 1999, kanë hyrë forcat paramilitare serbe të Sllovisë, të veshur me uniforma dhe nëpër shtëpi na kanë dëbuar jashtë”, tha dëshmitarja.

Dëshmitarja ka treguar se me 15 prill, ishte rrethuar fshati me tanke nga forcat serbe, dhe në atë moment kishte qenë brenda në shtëpi vetëm i kishte dëgjuar krismat.

“Ja nisen me kërsit me gjujt përpjetë, mi qit prej shtëpive, mi rreh, unë si kam parë me sy, po u ndihshin deri në momentin kur kanë hyrë në oborrin tonë”, tha dëshmitarja.

Më pas e njëjta ka treguar se në momentin kur i ka parë forcat serbe, kishte qenë me nënën e saj në ballkonin e shtëpisë dhe se forcat serbe i kishte parë të veshur me uniformë pa maska, e njëjta ka treguar se ata serbë i kishte njohur sepse ishin rritur në të njëjtën lagje bashkë.

“Na jena kanë brenda krejt, jena dal unë dhe nana në ballkon të katit dytë me kqyr qa po ndodh, kur jena dal kena pa britma, t`u i rreh t`u i gjujt, i kena pa para dere serbët me uniforma, pa maska. Na ata serbë i kena njoft, jena rrit bashkë me ta, jena kanë shkollë me ta”, tha ajo.

Në pyetjen e prokurorisë se a ke njohur ndonjërin nga serbët, e njëjta u përgjigj se të akuzuarin Goranin e ka njohur si dhe djalin e agjës së tij Mirosllavin.

“E kom njoft Goranin, Mirosllavin, këtë Goranin e kom njoftë që është në këtë sallë dhe Mirosllavin është djali i migjës së Goranit”, tha ajo.

Më pas dëshmitarja ka thënë se në momentin kur kanë hyrë në oborrin e tyre, serbët kanë vendosur maskat, duke treguar se burrat e shtëpisë dhe djalin e saj kanë filluar t`i nxjerrin në oborr.

“Kur janë hy brenda i kanë vnu maskat, masnej kanë nis mi qit burrat jashtë, edhe djalin tim, tani kanë gjujt rafall, dhe i kanë bërë rresht krejt burrat, 1 metër distancë kom pas me ta kur kanë gjujt”, u shpreh e njëjta.

Më pas e njëjta ka treguar para gjykatës se i akuzuari Goran kishte gjuajtur në drejtim të familjarëve të saj, ku kishin mbetur të vdekur për tok.

“Në drejtim tyre ka gjujtur Gorani, por edhe ata të tjerët kanë gjujt përpjetë, por  në drejtim tyre ka gjujtur vetëm Gorani. Pastaj unë jom met në oborr ata kanë qenë shtrit krejt në tokë, pastaj njani prej tyre ka thënë edhe një është mrenda, tybe një serb prej serbis ska mujt me ditë që është mrenda, edhe pastaj Gorani ka thënë dil jashtë, dhe baba jem është dal përjashtë i ka parë dy nipat e vetë edhe 2 djemt e vetë të vdektë për toke”, tha dëshmitarja.

Tutje dëshmitarja, tregoi se i akuzuari Goran Stanishiq, kishte gjuajtur edhe në drejtim të babait të saj, ku kishin mbetur të vdekur pesë familjarët e saj.

“Babës tem ja kanë lidh durat edhe Gorani ka gjujt, drejtim tina dhe kanë mbetur të pestë në tokë, pastaj e kom hup vedinë total, ju kom thanë ama edhe mu ni plumb këtyre policve, pastaj ju kom thanë po jau paguj plumin po s`ma dhanë. Mua më thanë ty të kena lanë me pa qishtu, qa kena bo”, tregoi dëshmitarja.

Pas kësaj e njëjta ka treguar se ishte nisur në drejtim të xhamisë, ku kishte takuar nënën e saj dhe iu kishte treguar çfarë iu ka ndodhur, dhe së bashku me fshatarët e katundit ishin nisur për në mal tek ‘Lugu i Demës’.

Dëshmitarja H. ka treguar se nëna e saj më pas ishte kthyer në shtëpi, ku sipas saj kishte parë babain e të akuzuarit, duke e larë oborrin ku kishin mbetur të vdekur familjarët e tyre.

“Me traktor jena shku në fshatin Smallush, dhe aty kena qëndruar 4 ditë, dhe aty ka pasur plotë njerëz të Sllovisë. Prej Smallushës nana jeme nuk ka treguar hiq, ka thënë po dal dikun dhe u ardh në fshat, edhe u hi mrenda në oborr e ka pa Tomqin t`u e la gjakun me gyp, dhe i ka thanë o Tomq pse na bat ktahen, ai ju ka pergjigjur na s`jau kena ba, jau ka bo tjetër kush”, tha dëshmitarja.

E njëjta më pas ka treguar se shtatë ditë pasi kjo ngjarje kishte ndodhur, kufomat e familjarëve të saj i kishte varrosur nëna e saj, në prezencë të serbëve të cilët deri në varrimin e tyre iu kishin ndenjur mbi kokë me armë.

“Masi jena ardh te shpia mas 7 dite kur ndodhi ngjarja. Masnej serbët jon ardh tek shpia, masnej kanë thënë nanës teme hajde idenfitkoj kufomat në shkollë të vjetër, nana jem u qu u shku i ka parë krejt kufomat babës vllaznive, djalit tem edhe djalit vëllaut, edhe aty sjon kanë veq familja jeme ka pasur shumë kufoma. Serbët na kanë thanë hajdeni mi varros, edhe nana jem me kojshi të katunit, me prezencën e tyre i kanë varros, dhe këta ju kanë nejt  përmi kry me automata”, tha dëshmitarja.

Në fund të deklaratës së saj dëshmitarja, kërkoi nga Gjykata që i akuzuari Stanishiq të dënohet dhe kërkoi që t`iu kompensohet dëmi i shkaktuar.

Kurse dëshmitarja F. K., deklaroi se në vitin 1999, kishte qenë në shtëpinë e saj në fshatin Sllovi dhe se me datë 15 prill 1999 forcat serbe i kishin dëbuar nga shtëpia.

“Serbët e rrethakun Sllovinë, edhe se kena besu kurrë që na ndodh qajo, janë dëgjuar të shtëna dhe në atë moment kanë nis krejt me dal, i kam pas dy pleq, fminë, 4 fminë plus kam qenë shtatzanë”, tha dëshmitarja K.

Më pas e njëjta ka treguar se nga fshati nuk kishin mundur të ikin për shkak se forcat serbe i kishin ndalur, dhe se burri i saj kishte mbetur i vdekur.

“S`jena shku edhe shumë largë na kanë ndal policia e Serbisë, dhe tek shtëpia e H., e kanë nal traktorin ma kanë zbrit burrin e kanë marrë edhe e kanë shti në oborrin e H., kanë qenë 3, 4 a 5 krejt të maskum, edhe aty vjehrri jem m`ka thanë e myten F. burrin tem, dhe ato krismaa i nitem edhe na”, tha dëshmitarja K.

Kurse e njëjta më pas ka thënë se nuk kishte mundur ta identifikoj ndonjërin nga serbët, për arsye se të gjithë kishin qenë të maskuar. Dhe se kufoma e burrit të saj kishte mbetur në vendin të cilin e kishin vrarë për rreth nëntë ditë.

“Nëntë ditë ka nejt qaty ku e kanë mbytë, mbas 9 dite e ka varrosë dikush, varri i tij gjendet te varrezat e deshmorëve të Sllovisë. Dhe nuk kam mujtë në atë moment, me vrejtë cili ka mujtë me vra krejt të maskum kanë qenë”, tha dëshmitarja.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve seanca e radhës është caktuar për datë 13 nëntor, ku do të dëgjohen edhe tre dëshmitarë të propozuar nga ana e prokurorisë.

Sipas Prokurorisë Speciale, Goran Stanishiq gjatë 15 dhe 16 prillit 1999 ka kryer krime lufte kundër popullatës civile shqiptare dhe atë ndaj fqinjve të tij.

Në aktakuzë thuhet se Goran Stanishiq gjatë vitit 1999 jetonte në fshatin Sllovi të Lipjanit dhe se ishte pjesëtar rezervë i Policisë.

Ai në katër pikat e aktakuzës së Prokurorisë akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes G., vrasjen e F. B., Z. G. dhe personave të tjerë të cilat sipas Prokurorisë ishin ndarë nga kolonat me qytetatarë dhe ishin pushkatu.