Dëshmitari Bashkim Kastrati - Foto: KALLXO.com

Rrëfimet e dëshmitarëve në gjykimin ndaj Millosh Pleskoviqit, i akuzuar për krime lufte në zonën e Prizrenit

Në gjykimin ndaj të pandehurit Millosh Pleskoviq, i cili akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë në zonën e Prizrenit, përveç Xhenger Canës dhe Haxhi Canës në seancën e 14.01.2025 kanë dëshmuar edhe dy dëshmitarë të tjerë.

Millosh Pleskoviq akuzohet se më 01.09.1998 në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” kishte shtënë me armë të tipit “Kallashnikov”, me ç’rast ishin vrarë 3 civilë, të cilët ishin duke shkuar për të marrë dru në mal.

Fillimisht dëshminë e nisi Bashkim Kastrati, i cili gjatë marrjes në pyetje nga prokurori tregoi se gjatë kohës së luftës 1998-1999 kishte qenë në Prizren.

Lidhur me ditën kritike ai tregoi se nga ora 06:45 ishin nisur për të marrë dru në mal dhe në momentin kur kishin mbërri në kodër, ai si më i vjetri në mesin e tyre u kishte thënë po ulemi po pushojmë pak ndërsa pasi që kishin pushuar e pirë nga një cigare ishin nisur për të shkuar lart.

“Kur erdhëm në gjysmë të rrugës ishte një ‘potok’ dhe pak pa ardhur te ‘potoku’ u dëgjua një zhurmë e pushkës nga një e shtënë e unë bërtita: “Çka u bo? Çka u bo?” – tha Bashkim Kastrati.

Ndërsa pasi që kishte arritur në mëhallë, në shtëpi,  pas 30 minutave, sipas tij, kishin nisur rafalët e automatikëve.

“Qat’herë janë vrarë ata, ndërsa trupat e tyre janë shku me thasë i kanë marrë” – tha dëshmitari.

“A ke arritë me pa ndonjë pjesëtar të Policisë serbe” – pyeti prokurori Kastriot Memaj.

“Jo, veç i kam dëgju të shtënat” – tha Kastrati.

Dëshmitari tregoi se gjatë kohës kur ishin duke ikur kishte pësuar lëndime, edhe se e ka shenjën në ballë në anën e majtë, ndërsa pasi kishte arritur të largohej nga aty, Xhenger Cana i kishte thënë: “Ik se Policia dhe Ushtria serbe”.

“Xhengeri e ka njoftë, Xhengeri e ka pa këtë (drejtohet nga i akuzuari)” – tha dëshmitari Kastrati.

“Ndërsa ne nuk kemi parë asgjë” – shtoi tutje Kastrati.

Ai gjatë dëshmisë së tij tha se para luftës e kishte njohur të akuzuarin si fëmijë pasi i njëjti është rritur në mëhallën e tyre.

“Po, si fëmijë është rritë në mëhallën tonë” – tha Kastrati.

“Para lufte kur e ke njoftë qysh është dukur? – e pyeti prokurori Memaj.

“Përafërsisht njësoj, mund të them se tani po duket më i plakur” – tha Kastrati.

Ndërsa në fund të dëshmisë tha se prej luftës e tutje nuk e kishte parë më të akuzuarin.

Seanca vazhdoi më dëshminë e dëshmitarit të dytë Ilir Bojaxhiu, i cili gjatë dëshmisë së tij rrëfeu se më  01.09.1998, 3 viktimat dhe 3 dëshmitarët e tjerë kishin shkuar të merrnin dru në mal.

“Unë mund të deklarohem se së pari ata kanë qenë civilë të armatosur. Më 01.09.1998, 3 viktimat edhe 3 dëshmitarët e tjerë janë ngritur me shku me marrë dru në mal” – tha Kastrati.

Tutje gjatë dëshmisë së tij rrëfeu se më vonë duke shkuar në mal kanë hasur në forcat policore dhe kur kishin hasur në forcat paramilitare i kanë ndaluar aty mirëpo njëri nga dajat e Xhengerit (Canës) kishte arritur ta shtyjë Xhengerin që të largohet prej atij vendi dhe kishte arritur të largohej nga ai vend.

Më pas kur kishte arritur Xhenger Cana në lagjen e tyre e kishte njoftuar për rastin.

“Po atë ditë Xhenger Cana na ka treguar që për këtë person që është para juve këtu që e ka parë në vendngjarje dhe prej aty ne i kemi besuar se Xhengeri ka qenë i vetëdijshëm dhe i sigurt që ky person ka qenë pjesëmarrës në atë vrasje” – tha dëshmitari.

Ai gjatë dëshmisë së tij tha se trupin e vëllait tij të ndjerë F.B. nuk kishte pasur mundësi ta shihte.

“Terreni se ku kishte ndodhur ngjarja është si luginë, duhet disa kodra me i kalu për të arritur në atë vend. Ai vend aty ka qenë pyll ku këta kanë shku me pre nga një dru për nevoja familjare” – shtoi ai.

Pasi që një nga viktimat lidhur me ditën kritike është vëllai i dëshmitarit, mbrojtësja e të akuzuarit, Millosh Pleskoviq, avokatja Filipoviq e pyeti dëshmitarin: ”A e keni paraqitur diku këtë rast?”.

“Personalisht familja jem jo”- tha Bojaxhiu.

“Për çfarë arsye nuk e keni paraqitur?” – pyeti tutje avokatja Filipoviq.

“Në atë kohë s’kemi guxuar me dalë prej shpisë e lëre më ta paraqesim ndokund” – tha Bojaxhiu.

Ai në fund të dëshmisë tha se vëllai i tij i ndjerë gjatë kohës më të madhe të jetës kishte punuar në sektorin privat dhe nuk kishte pasur kohë që të merret me probleme.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet më 15.01.2025.

Kujtojmë se i akuzuari Millosh Pleskoviq në seancën e shqyrtimit fillestar, më 21.06.2024, nuk e kishte pranuar fajësinë.

“Nuk e pranoj fajësinë” – kishte thënë i akuzuari Millosh Pleskoviq.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Rrahman Beqiri (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët Violeta Namani Hajra dhe Kujtim Krasniqi.

Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Kastriot Memaj.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998 – 1999, në Prizren, gjatë një konflikti me karakter jondërkombëtar të zhvilluar mes pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake të Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ) dhe forcave policore të Serbisë, i pandehuri Millosh Pleskoviq, me dashje e në bashkëkryerje me persona të tjerë, i ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave, në atë mënyrë që në periudhën kohore relevante për këtë aktakuzë, forcat policore dhe ushtarake të RFJ dhe Serbisë ishin stacionuar në kodrat përreth Prizrenit, për shkak të konfliktit të armatosur që ishte duke ndodhur në atë zonë.

Sipas aktakuzës, rreth datës 01.09.1998, në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren, viktimat R.D., B.D., F.B. së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, kanë shkuar në malin e tyre, i cili gjendej afërsisht rreth 300 metra në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, për të marrë dru për ngrohje, deri sa ishin duke ecur, kanë hasur në një grup prej 7-8 personave të armatosur të nacionalitetit serb, të cilët kishin dalë nga mali dhe ishin me uniforma policore dhe ushtarake, me shirita në krah dhe në kokë dhe njëkohësisht ishin të armatosur me armë të gjata automatike e të cilët fillimisht i kishin urdhëruar që të ndaleshin, pastaj i kanë fyer në gjuhën serbe.
Tutje, sipas aktakuzës, në mesin e tyre e kishin parë edhe të pandehurin në fjalë, në atë moment i pandehuri kishte shtënë me armë të tipit “Kallashnikov” në drejtim të tyre dhe me të filluar të shtënat, viktima – tani i ndjeri B.D. e ka shtyrë me krah të dëmtuarin Xhenger Cana, duke e futur nën rrugë, në mënyrë që ta shpëtojë nga vrasja pasi që ishte më i riu në grup.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kanë vrapuar në drejtim të shtëpive të tyre, kurse viktimat – tani të ndjerit B.D. dhe R.D. dhe F.B. kanë mbetur në vendin e ngjarjes të vrarë, si pasojë e të shtënave ashtu që pas një jave, me lejen e Policisë serbe, familjarët e viktimave kanë shkuar që t’i marrin trupat e tani të ndjerëve R.D., B.D. dhe F.B., tek te cilët kanë parë se trupat e viktimave janë të gjymtuar, ashtu që R.D. dhe B.D. ishin vendosur njëri mbi tjetrin, njëri nga ta e kishte këmbën e prerë nga trupi kurse viktima F. nuk e kishte pasur kokën në trup.

Në bazë të akuzave të lartcekura, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.