Rrëfim prekës, punëtorja e restorantit rrëfen se si i shkelen të drejtat e saj në punë - VIDEO

Një grua që punon në një restorant të Ferizajit, ka rrëfyer në Inspektoriatin e Punës, shkeljen e të drejtave që i bëhen asaj në vendin e punës.

Të martën e kaluar, në emisionin #KallxoPernime është transmetuar emisioni për kontrollet e inspektoriatit për verifikimin e kontratave për punëtorët e sektorit privat.

Në një bisedë me inspektorin e punës, Arton Çerkini, gruaja që në këtë rast është sinjalizuese, rrëfën historinë e saj.

“Punoj prej orës 7:00 deri në ora 3:00. Tetë orë. Një herë në javë e kemi pushim, të dielën”, fillon ai rrëfimin.

“Të vitit të kaluar, kam pagu Trust, nja dy muaj ditë kam paguar Trust, mi ka pagu. Kurrë kontratë në dorë s’kam pasur. E di që nja dy herë, dy muaj kam pagu Trust, dy muaj të vitit të kaluar, më jo”.

Inspektori Çerkini e pyet se a iu ka paguar rregullisht Trusti, ndërsa ajo thotë që nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Ajo thotë se janë punëtorët ‘më të shkelur’ në Kosovë.

“Jo nuk më ka ecë, e kam atë letrën, nuk më është pagu trusti. Ne punëtorët jemi më të shkelurit këtu në Kosovë çka jena, pa kontrata, pa kurrgjë. Nuk kam marr para as në pandemi as asgjë. Tetë orë punë i kemi 15 euro, 450 euro i bjen, të dielen pushim. Tetë orë punë i kemi me mëditje”, thotë ajo.

Tutje, inspektori Çerkini të njejtën e pyet për pushim vjetor, por punëtorja tregon se as pushimi nuk i paguhet.

“Nuk paguhet, po pushim kam marr, por nuk paguhet, se paguhet me ditë, a po e dini. Për shembull, kur e kam marr pushimin shtatë ditë ose kam marr çdo javë, nuk paguhet pushimi. Kurrfarë drejtësie nuk ka”, thotë ajo.