Rrëfehet në gjykatë dëshmitari në rastin e vrasjes së zyrtarëve të UNMIK-ut

Jeton Sylejmani ka qenë dëshmitari i radhës në gjykatë në lidhje me rastin e vrasjes e një polici kosovar, Arsim Rrustollin dhe një polici të misionit të UNMIK-ut, Possible Essuman, në vitin 2004.

Në lidhje me këto dy vrasje po akuzohen Bedri Krasniqi e Alban Dizdari.

Dëshmitari Jeton Sylejmani deklaroi se Bedri Krasniqin nuk e njihte, ndërsa me  Alban Dizadarin njihej prej vitit 2014 dhe se të njëjtin e kishte mik të shtëpisë dhe se të njëjtit kishin kontakte familjare të mira.

“ Vëllau im është taman i martum me motrën e Albanit”, tha ai.

Në pyetjet e avokatit Ndrec Dodaj, dëshmitari Sylejmani deklaroi se Alban Dizdarin nuk e kishte njohur para vitit 2014.

Ai shtoi se Shkumbin Mehmetin e njihte prej seancave gjyqësor kur dëshmitari kishe qenë i akuzuar dhe jo më herët ,

“…Është fjala për 2004/2007”, shtoi dëshmitari”.

Mbrojtja e të akuzuarit Alban Dizdari, avokati Ndrec Dodaj, e pyeti dëshmitarin nëse gjatë seancave gjyqësor të vitit 2004/2005 apo në procedurën e hetimeve paraprakisht, e kishte dëgjuar emrin e Alban Dizdarit.

“ Jo, kurrë”, u përgjigj dëshmitari.

Dëshmitari po ashtu mohoi të ketë  dëgjuar thashetheme, nëse Alban Dizdari kishte qenë në “grupin e Shkumbin Mehemtit, ngase dëshmitari Sylejmanaj deklaroi se nuk merrej me gjëra të tilla”.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast u caktua më 13.3.2020.

Të akuzuar të tjerë në këtë rast për vrasjen e policit të Kosovës dhe të policit të UNMIK-ut kanë qenë edhe Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, por pas marrjes së aktvendimit nga  Gjykata Supreme në shtator 2017, të njëjtit ishin liruar, pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin, ndërsa Shkumbin Mehmetin e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vite burgim, më 9 nëntor 2007.

Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri,  Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë në detyrë.

Zyrtari i Policisë së Kosovës Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut Ramë Zeneli, kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.

Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.

Eprori rrëfen momentin kur Policia u sulmua me top dore e kallashnikov