Rrahmani në Rahovec: 9 shkurti do të jetë dita e familjes

Koalicioni për Familjen ka mbajtur tubim elektoral në Rahovec duke vazhduar fushatën për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025.

I pari i këtij Koalicioni, Eman Rrahmani, ka thënë se qytetarët e Rahovecit janë angazhuar për vlerat e familjes.

“Në Rahovec kushdo që ka tentu familjen me e dëmtu kot ia ka mësy, sepse këta kanë arritë me rujtë, me mbrojtë, dhe me u angazhu që vlerat e tyre të jenë çdo herë në familjet e tyre”- u shpreh ai.

Ndërsa ka përmendur Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

“Me Ligjin për fertilizim dojshin që vajzat tona të lindin fëmijë pa burra, se nuk duhet me u martu se ‘burri është e keqja’. Me këtë Ligj parashihej edhe që gratë të lindin fëmijën e çiftit që hezitonin t’i prishnin linjat trupore. Nuk kalojnë këto, janë vepra kriminale. Në të kaluarën i kemi kundërshtu bashkë me Visar Korenicën, në të ardhmen as nuk guxojnë me i pru në Kuvend”- ka thënë ai.

“Ma nuk do të guxojnë të sjellin këso gjana në Kuvendin e Kosovës”- ka shtuar tutje Rrahmani.

Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor është miratuar në parim në tetor të vitit 2023.

Ndërsa në lexim të dytë, ky Projektligj nuk ka arritur të miratohet ndonëse është hedhur në votim disa here gjatë këtyre viteve.

Më 24.01.2025, Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës njofton se Projekti i Frytnimit të Asistuar Mjekësor (IVF) po realizohet në QKUK sipas Planit të Veprimit.

SHSKUK ka treguar se deri më tani konsultime kanë kryer rreth 300 çifte.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.