Rrahmani - guvernatorit të BQK-së: A është e vërtetë që në Arkiv është punësuar një fizioterapeute?

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa ku janë duke raportuar përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka pyetur guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmetin, nëse në Njësinë e Arkivit është punësuar një fizioterapeute.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka thënë se të gjitha punësimet në BQK janë bërë në bazë të procedurave të përcaktuara me rregullore dhe ligj.

“Nuk isha leshu me folë, të gjitha punësimet janë bërë në bazë të procedurave dhe rregulloreve, të gjitha punësimet janë bërë në bazë të meritave, nëse keni diçka për këto punësime iu kisha inkuraju me i dërgu te institucionet relevante”, ka thënë Mehmeti para deputetëve.

Po ashtu, guvernatori Mehmeti ka thënë se numri i të punësuarve vitin e fundit është zvogëluar në BQK. Sipas tij, në vitin 2017 kanë qenë të punësuar 216 persona, në vitin 2018 kanë qenë 218, në vitin 2019 gjithsej 235 të punësuar kurse në vitin 2020 ky numër ka rënë në 226.

“Domethënë kemi rënie të të punësuarve. Janë pensionu”, ka theksuar guvernatori Mehmeti.